Presidenti Ilir Meta foli në emisionin “Open” të gazetares Eni Vasili, në News24, për dekretin e tij për lirimin nga detyra të Bajram Begajt si sheh i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
I pyetur nga gazetarja nëse ka një zbutje të marrëdhënieve me kryeministrin Edi Rama, Kreu i Shtetit u shpreh se dekreti i tij nuk ka lidhje me këtë, por sipas tij, nuk kishte asnjë arsye që ta pengonte kandidimin e Bajram Begajt si President.
Meta e zbuloi në “Open” se ka pasur një kërkesë zyrtare nga qeveria për lirimin e Begajt si shef Shtabi, si dhe nga vetë kandidati, i cili kishte dhënë dorëheqjen nga ky post.
“Më duket një debat tërësisht absurd, megjithatë jemi në demokraci dhe çdo akt mund të kontestohet, por besoj se kam kryer detyrën time, që më takonte, në mënyrë që të mos pengoja parlamentin të ushtronte të drejtën e tij, raundin e katërt. Qëlloi që kandidati i propozuar kishte një pengesë për t’u shprehur Kuvendi dhe derisa u bë një kërkesë zyrtare nga qeveria dhe vetë kandidati, që kishte dhënë dorëheqjen nga pozita e shefit të Shtabit dhe kishte kërkuar të lirohej, pa dyshim që unë nuk kisha asnjë arsye që të mos i krijoja këtë mundësi”, tha Meta.