“Kam mbaruar fakultetin e Mjekësisë, 5-vjeçarin për Mjekësi të Përgjithshme dhe jam në prag të specializimit. Por kam nisur kursin e gjuhës gjermane pasi po përgatit dosjen për t’u punësuar në Gjermani. Këtu nuk dua të punoj në profesion..”, kështu thotë Lindi, 29-vjeçari babai i një djali të porsalindur.
Ai bashkë me Erën sapo kanë ndërtuar folenë e tyre të re por duket se nuk do të jetojnë gjatë në Shqipëri.
Për gazetën “SI”, Lindi thotë se shkaku pse nuk ka nisur të punojë që me mbarimin e universitetit është rroga e vogël që i është ofruar si mjek i ri.
“Unë kam një vit që jam martuar dhe jam përballur menjëherë me shpenzime të mëdha, me lindjen e djalit. Ime shoqe punon sekretare në një firmë, ndërsa unë s’u mendova gjatë por kërkova të punësohem si agjent marketingu pasi fitimet janë më të mëdha se një rrogë mjeku në privat apo publik. Për t’u punësuar në sektorin publik të gjithë e dimë që duhet miku dhe zarfi. Nuk kam aplikuar në portalin ‘Mjekë për Shqipërinë” sepse nga përvoja e shokëve të mi kam parë se janë punësuar përkohësisht, duke zëvendësuar mjekë që kanë marrë leje lindje ose mjekë që kanë dalë në pension. Janë të rralla vendet e punës që lirohen sot në sektorin publik. Ndërsa në privat as që bëhet fjalë nëse nuk ke përvojë pune”, thotë Lindi.
E ardhmja e tij? Do të largohet drejt Gjermanisë dhe këtë ide e ka patur që në përfundim të fakultetit.
“Kam përparuar me gjuhën dhe në fund të vitit do të jap provimin. Besoj viti 2023 do të më gjejë jashtë”, thotë mjeku i ri.
Por pse tregu i punës nuk po përthith të gjithë të diplomuarit?
Eksperti i çështjeve të arsimit, sociologu Albano Zhupaj, në një prononcim për gazetën “SI”, thotë se si Lindi ai njeh me dhjetëra të rinj që janë diplomuar për mjekësi të cilët nuk punojnë në profesion.
“E dini ju që një agjent marketingu i firmave farmaceutike paguhet aq mirë sa të blejë një makinë mbi 7 mijë euro, gjë që unë si pedagog nuk e kam mundësinë”, thotë Zhupaj.
Sipas tij, prej vitesh, mjekë, infermierë, farmacistë po rrjedhin shumë drejt Gjermanisë kryesisht, për të gjetur vend pune në tregun e huaj. Zhupaj thotë se ndonëse mjekët shqiptarë nuk punojnë direkt në profesion por si mjekë roje, sërish ata zgjedhin të largohen sesa të rrinë këtu me pagat e vogla që marrin.
“Nga një analizë që i kam bërë tregut, si ish-drejtor i Kurrikulave në ministrinë e Arsimit në vitin 2012, ju them se tregu ynë i punës po bjerret, duke mos ofruar asnjë opsion pune për të rinjtë tanë.”
E dini ju se sa inxhinierë të rinj përthith tregu sot?
“Gjermania sërish po përthith krahë pune nga vendet në zhvillim, siç jemi ne për inxhinierë. Përvec mjekëve dhe infermierëve, rrjedhje ka dhe për farmacistët të cilët këtu në Shqipëri sa vjen dhe po u bëhet e vështirë ekzistenca, për shkak të shtimit të numrit të farmacive të reja, krijimit të monopoleve apo dhe uljes së marzhit të fitimit”, thotë eksperti Zhupaj./GazetaSi