A lidhet dorëheqja e Vulin-it me sulmin terrorist në Banjskë?

Shefi i Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandër Vulin, dha dorëheqje nga kjo pozitë, të premten. E në Serbi dorëheqja e tij po konsiderohet si një “surprizë e pritshme”, meqë shumë kush e priste këtë lëvizje që nga momenti kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione ndaj tij.

Petar Boshkoviç, analist ushtarak dhe ish-drejtor i Drejtorisë për Marrëdhënie me Publikun të Forcave të Armatosura të Serbisë, beson se dorëheqja e Vulin nga pozita e shefit të BIA-së ka qenë një veprim i pashmangshëm.

“Aleksandar Vuçiç me siguri nuk do të kishte hequr qafe Vulin-in, dorën e tij të djathtë, nëse nuk do të duhej. Thjesht duhej, sepse tani është më se e qartë se Vulin është më shumë se fajtor për Banjën. Dhe pres që të tjerët në atë zinxhir të përgjigjen për arsyen e thjeshtë sepse shërbimet e huaja të inteligjencës, duke filluar nga ato ruse, të KFOR-it dhe amerikanëve, e dinë se çfarë ka ndodhur dhe kush e ka organizuar, si dhe pse”, thotë Boshkoviç për Zërin e Amerikës edicioni i gjuhën serbe.

Dorëheqja e tij është surprizë, ashtu siç ishte befasi emërimi i tij, thotë në anën tjetër Predrag Petroviç, analist në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë, i cili thekson se shumë e interpretuan emërimin e Vulin në krye të BIA-s “si gisht në syrin e Perëndimit”. Pyetja e vërtetë që duhet t’u interesojë serbëve, sipas Petroviç-it, është se pse Vulin nuk u shkarkua apo nuk dha dorëheqjen në maj pas dy tragjedive të mëdha në Serbi, por vetëm pas “debaklit të plotë të politikës së Vuçiç-it në Kosovë në situatën e Banjës”.

Megjithatë, sipas njohësit të çështjeve të sigurisë është e vështirë të thuhet se sulmi terrorist në Banjë është arsyeja e vetme e dorëheqjes së Vulin nga kjo pozitë.

“Dorëheqja e Vulin-it mund të jetë një koncesioni i Vuçiç-it ndaj Perëndimit mbi të gjitha ndaj SHBA-ve, por mund ta interpretojmë edhe si një akt simbolik. Nëse do të mund të flitej për një afrim më domethënës të regjimit të Aleksandër Vuçiç-it ndaj vendeve perëndimore, ai do të ishte vendosja e sanksioneve kundër Rusisë. Atëherë ky është një akt vërtet simbolik ”.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku. Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas. Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësis. Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë. Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *