Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka ndikim të madh mbi fazën e ardhshme të luftës në Ukrainë, por se si planifikon ai ta përdorë atë, mbetet një çështje e hapur.
Trump është zotuar, gjatë adresimit të tij të parë pas inaugurimit, më 20 janar, se do të jetë “paqebërës”, dhe ka premtuar gjatë fushatës zgjedhore se do t’i japë shpejt fund luftës në Ukrainë, e cila merr ndihma ushtarake amerikane prej miliarda dollarësh.
Por, qasja e tij më tregtare ndaj diplomacisë ka nxitur frikë se ai mund të bëjë një marrëveshje me presidentin rus, Vladimir Putin, në dëm të Ukrainës.
“Ka ende shqetësime se Trump do të arrijë marrëveshje me Putinin, dhe më pas do t’i thotë Ukrainës se ajo duhet ta pranojë atë ose ai do të pezullojë ndihmat amerikane për Ukrainën”, ka thënë Marie Dumoulin, ish-diplomate franceze në Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme.
Strategjia e presidentit të ri amerikan për përfundimin e luftës ende po merr formë, por analistët kanë thënë se ai ka dy rrugë të gjera përpara.
E para është shtyrja e Ukrainës – e cila tashmë po përballet me mungesë luftëtarësh dhe me lodhjen e donatorëve – në tavolinën e negociatave, duke kushtëzuar ndihmën jetike ushtarake dhe duke e detyruar atë të nënshkruajë një marrëveshje për paqe me kushte të pafavorshme, një mundësi që Kievi dhe shumica e kryeqendrave perëndimore e konsiderojnë skenarin më të keq.
Tjetra është intensifikimi i trysnisë ndaj Rusisë me sanksione të reja dhe me rritje të mbështetjes ushtarake për Ukrainën.
“Në këtë pikë, secili opsion është ende i mundshëm”, ka thënë Dumoulin.
A do të bëjë Trump marrëveshje me Putinin?
Si Putin, ashtu edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kanë sinjalizuar se janë të hapur për negociata, por është e paqartë nëse Kievi dhe Moska janë të gatshëm për të bërë kompromise.
Putin, fillimisht, ka dashur ta marrë kontrollin e Kievit dhe të instalojë një qeveri të afërt me Moskën. Kremlini, po ashtu, vazhdon të ngulmojë për mbajtjen e pjesëve të okupuara të territorit ukrainas dhe për kufizimin e madhësisë së ushtrisë ukrainase.
Kjo është e papranueshme për Kievin, i cili kërkon kthimin e territorit të tij dhe tërheqjen e plotë të forcave ruse. Zelensky, megjithatë, ka thënë se mund të jetë i hapur për ngrirjen e luftës përgjatë vijës aktuale të frontit, në këmbim të hapjes së rrugës për anëtarësimin e Ukrainës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).
Trump po përpiqet, po ashtu, të shfrytëzojë marrëdhënien e tij me Putinin, të cilin në të kaluarën e ka quajtur strateg “të zgjuar”, dhe ka thënë se planifikon të takohet sy më sy me udhëheqësin rus.
“Nga perspektiva e presidentit Trump, nuk mund të bësh një marrëveshje nëse nuk ke një lloj marrëdhënieje dhe dialogu me palën tjetër. Dhe, ne absolutisht do ta krijojmë muajve të ardhshëm”, ka thënë Mike Waltz, këshilltar i Trumpit për siguri kombëtare, gjatë një interviste më 12 janar.
Presidenti Trump ka përmendur sërish raportin e tij personal me udhëheqësin rus, teksa ka folur me gazetarë në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, duke thënë se “kalon shkëlqyeshëm [me Putinin]. Shpresoj që ai të jetë i interesuar për një marrëveshje”.
Por, Trump ka shprehur edhe kritika, sinjal që ai mund të nxjerrë edhe karotën, edhe shkopin, në përpjekje për të arritur një marrëveshje me Moskën.
“Unë mendoj se [Putin] po e shkatërron Rusinë duke mos bërë një marrëveshje”, ka thënë Trump. “Unë mendoj se Rusia do të ketë telashe të mëdha”.
Oleksandr Motsyk, ish-ambasador i Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kievi duhet të përgatitet për një mori lëvizjesh diplomatike, dhe të mos i frikohet afrimit ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit.