A mund të konkurojnë prodhimet shqiptare të verës në tregun e “Open Ballkan”?

22 prodhues të verës nga Shqipëria, po ekspozojnë prodhimet e tyre në Panairin Ndërkombëtar të Verës “Wine Vision by Open Balkan”, që po mbahet në Beograd, në 1-4 shtator, duke e parë këtë panair si një mundësi të mirë për të krijuar partnerë dhe tregje të reja për shitjen e produkteve të tyre.
Pjesëmarrja e prodhuesve shqiptar të verës në këtë panair ka patur edhe bekimin e kryeministrit Edi Rama, që është edhe një nga mbështetësit kryesor të Open Balkan dhe që e konsideron këtë iniciativë si një mundësi të madhe për rritjen e eksportit të produkteve shqiptare.
I pranishëm në këtë panair kryeministri i Shqipërisë ka vlerësuar markat shqiptare të verës, që tashmë po prezantohen në një hapësirë rajonale të tregut konkurrues.
Por a mund të konsiderohet realisht tregu i vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor si një mundësi e mirë për rritjen e eksporteve të produkteve shqiptare? A mund të konkurrojnë realisht kantinat dhe markat shqiptare të verës në këtë treg për të rritur shitjet e tyre?
Për të bërë një analizë më konkrete, më poshtë po paraqesim disa tregues mbi prodhimin, eksportin dhe importin e produkteve të verës nga secili prej gjashtë vende të rajonit.
Shqipëria aktualisht ka një prodhim vjetor prej rreth 2 milion litra verë, nga të cilat vetëm një sasi minimale prej rreth 40 mijë litra verë me një vlerë rreth 120 mijë Euro eksportohet në pak vende si Zvicra, Gjermania, UK, USA, ku ajo konsumohet kryesisht nga emigrantët shqiptar që jetojnë në këto vende. Ndërsa importi vjetor i produkteve të verës në Shqipëri arrin një shifër prej rreth 5.5 milion litra, me një vlerë prej rreth 12 milion Euro, duke zënë rreth 75 % të konsumit total të verës në Shqipëri. Vendet kryesore nga importohet vera në Shqipëri janë Italia, Franca, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Greqia, Spanja, Serbia, etj.
Në Shqipëri operojnë rreth 125 kantina, por shumica e tyre kanë kapacitete shumë të vogla prodhuese dhe një teknologji artizanale, ndërsa rreth 30 kantina zotërojnë kapacitete prodhimi mbi 20 mijë litra verë në vit dhe kanë një teknologji prodhimi të pranueshme.
Kosova gjatë viteve të fundit ka arritur një prodhim vjetor të verës prej 9 milion – 11 milion litra, nga të cilat një sasi prej rreth 6.5 milion litra e eksporton në vendi të ndryshme si Kroacia, Serbia, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Gjermania, Zvicëra, USA, etj. Prodhimi i brendshëm i verës në Kosovë mbulon mbi 85 % të konsumit mesatar vjetor, ndërsa rreth 15 % e këtij konsumi mbulohet nga produktet e importit që kapin një sasi prej rreth 676
mijë litra në vit dhe që vijnë kryesisht nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Italia, Franca, Serbia, Spanja.
Në Kosovë operojnë aktualisht rreth 60 kantina, ku më e madhja është kantina Stone Castle që ka një kapacitet prodhues prej rreth 50 milion litra në vit dhe që është një ndër kantinat më të mëdha në Evropën Juglindore.
Maqedonia e Veriut është vendi që aktualisht ka prodhimin më të madh të verës nga të gjitha vendet e rajonit “Open Balkan”, prej rreth 91 milion litra verë në vit, nga të cilat rreth 77 % ose rreth 70 milion litra verë i eksporton në rreth 40 vende të ndryshme të botës, ku përfshihen vendet e rajonit tonë, vendet e BE-së dhe vende të tjera si Kina, USA, etj. Prodhimi i brendshëm i verës në Maqedoni mbulon mbi 97 % të konsumit mesatar vjetor të vendit, ndërsa vetëm rreth 2-3 % e këtij konsumi mbulohet nga produktet e importit që kapin një sasi prej rreth 500 mijë litra në vit dhe që vijnë kryesisht nga Franca, Italia dhe Spanja.
Në Maqedoni operojnë aktualisht rreth 100 kantina, nga të cilat 4 kantina kanë një kapacitet prodhues vjetor prej 15-50 milion litra, 5 kantina kanë një kapacitet prodhues vjetor prej 5-15 milion litra, dhe pjesa tjetër kanë një kapacitet prodhimi më të vogël se 5 milion litra në vit.
Mali i Zi gjate vitit te fundit ka patur një prodhim vjetor të verës prej 14.5 milion litra, nga të cilat një sasi prej rreth 42 % të prodhimit të brendshëm ose rreth 6.1 milion litra në vit i ka eksportuar në mbi 40 vende të ndryshme si Serbi, Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Gjermani, Shqipëri, Kinë, USA, etj. Prodhimi i brendshëm në Mal të Zi mbulon rreth 70 % të konsumit të brendshëm, ndërsa rreth 30 % e sasisë së konsumuar ose 3.7 milion litra mbulohet nga vera e importuar që vjen kryesisht nga Franca, Italia, Serbia, Kroacia, Maqedonia, Spanja, Sllovenia, etj.
Në Mal të Zi operojnë rreth kantina vere, por kantina më e madhe Plantaze me një kapacitet prodhues mbi 30 milion litra në vit dhe që zotëron një nga vreshtat më të mëdha në rajon me një sipërfaqe prej 2300 ha, ka aktualisht pjesën më të madhe të tregut të brëndëshëm, por edhe atë të eksportit të verës malazeze.
Serbia, prodhon aktualisht rreth 33.1 milion litra verë në vit dhe eksporton rreth 30 % të kësaj sasie ose rreth 9.9 milion litra verë në vit. Vendet kryesore të eksportit të verës nga Serbia janë Rusia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kina, Zvicra, USA, etj. Prodhimi vëndas i Serbisë mbulon rreth 45 % të tregut të konsumit, ndërsa rreth 55 % të tregut të konsumit ose rreth 29 milion litra verë në vit importohen nga vende të ndryshme si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Franca, Italia, Kroacia, Spanja, Hungaria, Gjermania, Bosnja dhe Hercegovina, Moldavia, etj.
Në Serbi operojnë rreth 370 kantina vere, nga të cilat 3 kantina kanë një kapacitet prodhimi mbi 1 milion litra verë në vit, 48 kantina kanë një kapacitet prodhimi mbi 100 mijë litra në vit dhe pjesa tjetër kanë një kapacitet prodhues më të vogël se 100 mijë litra në vit.
Në vitin 2020 qeveria e Serbisë ka shpallur një angazhim publik për të mbështetur industrinë e prodhimit të verës me 300 milion euro deri në vitin 2030 për ta bërë atë një nga industritë më konkuruese të rajonit.
Bosnja dhe Hercegovina, ka një prodhim vjetor prej 20.5 milion litra verë, nga të cilat rreth 12 % ose 2.5 milion litra verë eksportohen në vënde të ndryshme të rajonit dhe në BE, ndërsa rreth 18 milion litra ose 88 % e prodhimit konsumohet brënda vëndit. Gjithashtu Bosnja dhe Hercegovina importon rreth 6.5 milion litra verë nga vënde si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Italia, Franca, Spanja, etj.
Në Bosnje dhe Hercegovinë operojnë rreth 50 kantina vere, disa prej të cilave janë ndërtuar që në kohën e Jugosllavisë, ndërsa pjesa më e madhe janë kantina të reja të ndërtuara pas viteve 90.
Nga të dhënat e mësipërme rezulton që Shqipëria është vëndi në pozitën më të dobët konkuruese nga të gjitha vëndet e “Open Balkan”, ku prodhimi i vëndit mbulon vetëm 25 % të konsumit total të verës dhe sasia e verës së eksportuar është totalisht e papërfillshme, ndërkohë që vëndet e tjera janë në pozita konkurruese shumë të forta, sepse kanë kapacitete prodhuese shumë herë më të mëdha se Shqipëria, kanë kantina me një teknologji të përparuar, me një traditë afatgjatë në prodhimin e verës, me brande të njohura në tregun rajonal dhe ndërkombëtar dhe me fuqi eksportuese të pa krahasueshme me kantinat e Shqipërisë.
Në kushtet kur prodhimi i rrushit në Shqipëri, por edhe prodhimi i verës në kantinat shqiptare ka një kosto shumë më të lartë se në vëndet e tjera të rajonit për shkak të kostove të larta të karburantit, të plehrave, të ujit, të energjisë, etj, por edhe për shkak të subvencioneve shumë më të ulta që aplikohen nga qeveria e Shqipërisë për prodhimin e rrushit dhe të verës, krahasuar me subvencionet që japin qeveritë e vëndeve të tjera të rajonit tonë, mund të themi me bindje se prodhuesit e verës në Shqipëri nuk kanë asnjë shanc që të konkurojnë denjësisht në Open Balkan me markat e verës të prodhuar në vendet e tjera të rajonit.
Në këto rrethana, pjesëmarrja e prodhuesve dhe markave të verës shqiptare në panairet rajonale si “Wine Vision by Open Ballkan”, do të jetë vetëm një “show”, që nuk ka për ti shërbyer rritjes së shitjeve të këtyre markave.
Zgjerimi i tregjeve të eksportit të produkteve të prodhuara në Shqipëri kërkon një punë shumë të madhe studimore, për njohjen e tregjeve ndërkombëtare ku produktet shqiptare mund të kenë avantazhe konkurruese, kërkon studime dhe njohje të standarteve të cilësisë dhe kushteve që kanë këto tregje ndërkombëtare për importin e produkteve nga Shqipëria, Kërkon njohjen e plotë të konkurrentëve që tregtojnë produktet e tyre në këto tregje, kërkon njohjen dhe ndërtimin e marrëdhënieve me kompanitë e brokerave që operojnë në këto tregje, kërkon strategji dhe plane veprimi të mirë menduara për prodhimin, brandimin, marketingun, shitjen dhe transportin e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare, me qëllim rritjen e avantazheve të tyre konkurruese, etj.
Hapja e plotë e tregut të vëndit ndaj kompanive dhe produkteve të huaja, në kushtet kur prodhuesit dhe produktet shqiptare qartazi janë në pozita konkurruese diskriminuese, do të sjellë pa diskutim shkatërrimin e plotë të prodhuesve të Shqipërisë dhe zhdukjen e produkteve tona, prandaj Open Balkan është një iniciativë me shumë rreziqe për vendin tonë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *