“A mund të marrë Berisha pjesë në zgjedhjet e 6 marsit?! Celibashi e sqaron për “DW”: Që kandidatët e tij të hyjnë në garë, duhet të…

Partia Demokratike, (PD) më e madhja në opozitë, pas bojkotit të Lokaleve 2019, që i dha fitoren Partisë Socialiste (PS) në 60 bashki nga 61 në total, do të marrë pjesë në këto zgjedhje. Ajo ka shansin të synojë në mos fitoren në gjashtë bashki, të paktën në disa prej tyre. Këto zgjedhje kanë potencialin të jenë edhe një lakmus që pritet të tregojë se cili nga dy grupimet kundërshtare në PD gëzon mbështetjen më të madhe të elektoratit opozitar dhe qytetarëve: grupimi i drejtuar nga kryetari aktual Lulzim Basha apo ai i drejtuar nga ish-kryeministri, lideri historik i PD-së, Sali Berisha, i shpallur „non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), „për vepra korrupsioni që minojnë demokracinë në Shqipëri”.

KQZ nuk njohu grupimin e Berishës

Fillimi të shtunën (22.01) i procesit zgjedhor për lokalet e pjesshme të 6 marsit nuk plotësoi pritshmëritë e grupimit të mbështetësve të Berishës për t’u regjistruar si subjekt politik më vehte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, (KQZ). KQZ nuk e njohu si të tillë këtë grupim. Në një konferencë për shtyp, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirian Celiashi tha, se „subjekti/partia politike duhet të paraqesë në KQZ vërtetimin e regjistrimit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor,T iranë, ku të ketë të dhëna të tilla si emri i subjektit politik, organet drejtuese dhe ato kompetente për të mbajtur marrëdhëniet me të tretët, përfshirë edhe KQZ.”

Një vërtetim të tillë grupimi i mbështetësve të Berishës nuk e ka. Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Tiranë nuk ka marrë ende vendimin e saj për regjistrimin e statutit të ri të PD të rithemeluar, ku përfshihet edhe shkarkimi i kryetarit Basha dhe gjithë lidershipit të PD zyrtare, të çuar në këtë Gjykatë nga „Komisioni i Rithemelimit të PD” të dalë nga Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit 2021, i demokratëve, mbështetës të Berishës.

Grupimi pro Berisha nuk mund të ketë përfaqësues ligjorë në KQZ

Në vijim të mosnjohjes si subjekt politik dhe mos regjistrimit në KQZ, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi vendosi të mos e njohë juristin Ivi Kaso, të caktuar nga „Komisioni i Rithemelimit të PD” si përfaqësues ligjor të PD në KQZ, pas shkarkimit të tij nga posti i Sekretarit për Çështjet Zgjedhore në PD ngaqë mori pjesë në protestën e dhunshme të 8 janarit ndaj selisë së kësaj partie, për të marrë lidershipin e saj. Në vend të tyre Celibashi legjitimoi emrat e juristëve të zgjedhur nga Basha si përfaqësuesi ligjor i PD.

Celibashi: Ligji zgjedhor, rëndësia e 1 përqind të listës zgjedhore

Pyetjes së DW: Nëse ka në këto kushte hapësira ligjore që grupimi i demokratëve, mbështetës të Berishës dhe elektorati pro tij të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, kreu i KQZ-së, Celibashi i përgjigjet: „Ligji zgjedhor ka hapësira që grupime, të cilat nuk mund të regjistrohen si subjekte politike më vehte, të marrin pjesë në zgjedhje, në rastin konkret për kryetarë bashkie, me kandidatë që i propozojnë vetë zgjedhësit. Sipas ligjit zgjedhor, zgjedhësit që propozojnë kandidatin për kryetar bashkie duhet të përbëjnë një përqind të numrit të zgjedhësve në listën zgjedhore të bashkisë përkatëse, që kandidati të hyjë në garë”./DW

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *