A munden vaksinat kundër Covid, të shkaktojnë pasoja afatgjata për trupin? Faktet dëshmojnë se…

Shumë njerëz shpesh mbeten të mëdyshur për marrjen e vaksinës kundër COVID-19, sepse kanë frikë nga ndërlikimet e mundshme afatgjata shëndetësore. Por a mund të ketë komplikime të tilla? Ja një kontroll i fakteve

Deutsche Welle, duke iu referuar imunologëve dhe ekspertëve më të mirë gjermanë, u jep përgjigje pyetjeve: Reaksionet, efektet anësore dhe efektet afatgjata. Cilat janë dallimet? Po rastet e trombozës të lidhura me AstraZeneca? Sa kohë duhet që vaksina të pastrohet nga trupi? Tek vaksinat e mëparshme, a janë zbuluar efekte anësore pas shumë vitesh? Çfarë efektesh anësore janë raportuar pas vaksinave kundër COVID-19?

Në një intervistë të fundit me televizionin “Sky Sport, futbollisti i Gjermanisë dhe mesfushori i FC Bayern, Joshua Kimmich tha se kishte ende rezerva për vaksinat e COVID-19, për shkak të mungesës së studimeve afatgjata mbi efektet e tyre. Është një argument që dëgjohet shpesh nga ata që nuk janë regjistruar ende për të bërë vaksinën – në Gjermani, janë një në katër persona.

Disa njerëz e justifikojnë hezitimin, duke thënë se kanë frikë nga efektet e mundshme afatgjata të vaksinave. Në Twitter, disa skeptikë vaksinash kanë vënë në dukje shembuj të vaksinave të tjera, për shembull kundër gripit të derrit, ku dyshohet se ka pasur komplikime afatgjata. Por a është e vërtetë? Ja përgjigjet për pyetjet më të rëndësishme, sipas Deutsche Welles.

Reaksionet, efektet anësore dhe efektet afatgjata. Cilat janë dallimet?
Reaksionet ndaj një vaksine zakonisht ndodhin menjëherë pas një vaksinimi dhe mund të zgjasin për disa ditë. Në rastin e vaksinave të COVID-19, këto mund të përfshijnë dhimbje ose enjtje në vendin e injektimit – me fjalë të tjera, një dhimbje në krah – ose dhimbje koke. Këto simptoma tregojnë se sistemi imunitar i trupit po përballet me vaksinën.

Ato që mund të quhen “efekte anësore” janë reagimet më të forta ndaj një vaksine. Ato janë “një reagim i padëshirueshëm i trupit ndaj vaksinës që ndodhin duke iu shtuar reaksionit krejtësisht normal pas vaksinimit,” thotë Christine Falk, presidente e Shoqatës Gjermane për Imunologjinë dhe profesore në Institutin për Imunologjinë dhe Transplantet në Hannover, në një intervistë për Deutsche Welle.

Ato janë reagime më serioze dhe, në rastet më ekstreme, mund të çojnë në dëmtime që kanë një ndikim afatgjatë në shëndet. Efektet anësore shumë të rralla si tromboza e sinusit venoz cerebral ose inflamacioni i muskujve të zemrës janë raportuar tashmë me vaksinat e COVID-19.

Termi i përdorur zakonisht, “efektet afatgjata” nuk mund të ndahet nga efektet anësore në lidhje me vaksinat. Ato janë thjesht efekte anësore, lidhja e të cilave me vaksinën bëhet e dukshme vetëm pasi të ketë kaluar një farë kohe. Për shembull, nëse një efekt anësor ndodh vetëm tek një në një milion njerëz, lidhja është e dukshme vetëm kur disa milionë njerëz vaksinohen.

E mira e vaksinave kundër COVID-19 është se deri më tani janë administruar më shumë se 6.8 miliardë doza në mbarë botën, duke lejuar që efektet anësore të rralla të identifikohen shpejt.

“Për shkak se kaq shumë njerëz tashmë janë vaksinuar dhe për shkak se kanë kaluar shumë muaj që nga vaksinimi i shumë njerëzve, tani mund të jemi shumë të sigurt për efektet anësore të mundshme,” shpjegon Förster.

Po rastet e trombozës të lidhura me AstraZeneca?
Ky është një efekt anësor i rrallë, që u zbulua nga zyrtarët e shëndetit publik, vetëm pasi u prezantua vaksina AstraZeneca. Kishte disa raste të rënda me mpiksje gjaku në vende të ndryshme ose të pazakonta (për shembull, në tru si trombozë e sinusit venoz cerebral).

“Studimet klinike mund të tregojnë reagimet më të zakonshme ndaj vaksinës, por për fat të keq, jo ato të rralla, për shkak të numrit relativisht të vogël të rasteve,” shpjegon Falk. Kjo është arsyeja pse ky efekt anësor nuk doli në dritë deri pas miratimit të vaksinës, tha ajo.

Sipas autoriteteve shëndetësore australiane, tromboza shfaqet vetëm në një maksimum prej katër deri në gjashtë personash, nga 1 milion që janë të vaksinuar me AstraZeneca.

Sipas Qendrës Federale të Gjermanisë për Edukimin Shëndetësor, shumica e rasteve të trombozës zakonisht ndodhin dy deri në tre javë pas vaksinimit, kryesisht te njerëzit nën 60 vjeç. Kjo është arsyeja pse, nga 1 prilli, Gjermania rekomandon vetëm vaksinimin e personave 60 vjeç e lart me AstraZeneca. Nëse efekti anësor zbulohet mjaft herët, ai mund të trajtohet.

Sa kohë duhet që vaksina të pastrohet nga trupi?
Ekzistojnë dy lloje të ndryshme vaksinash të miratuara në BE: vaksinat mRNA nga Biontech-Pfizer ose Moderna, dhe vaksinat vektoriale si ato nga AstraZeneca ose Johnson & Johnson.

Për të dy llojet e vaksinave, “bëhet fjalë për disa ditë dhe javë përpara se vaksinat të shpërbëhen plotësisht dhe të mos jenë më të pranishme në trupin tonë,” thotë imunologia Christine Falk.

Vaksinat mRNA përmbajnë gjurmën, si të thuash, për një komponent specifik të virusit – pasi ato injektohen, sistemi imunitar stimulohet dhe prodhohen antitrupa kundër kësaj pjese të vogël. Më pas, mRNA zbërthehet plotësisht, sipas BioNtech-Pfizer – dhe kështu nuk mund të shkaktojë ndonjë efekt afatgjatë. “Nuk ka asnjë provë që mund të ndodhin reaksione në një fazë të mëvonshme,” thotë imunologu Reinhold Förster.

Vaksinat vektoriale përmbajnë gjithashtu një mostër gjenetike për proteinën “spike” dhe stimulojnë sistemin imunitar për të prodhuar antitrupa. Sipas Qendrës Federale për Edukimin Shëndetësor, vektorët e vaksinës shpërbëhen pas një kohe të shkurtër – dhe kështu nuk mund të shkaktojnë një reagim në trup pas një periudhe të gjatë kohore.

Tek vaksinat e mëparshme, a janë zbuluar efekte anësore pas shumë vitesh?
Me vaksinën Pandemrix kundër gripit të derrit, një efekt anësor shumë i rrallë – narkolepsia, një çrregullim i gjumit – u vu re vetëm shumë kohë pasi u prezantua vaksina. Fillimisht, relativisht pak njerëz u vaksinuan, kështu që efekti anësor nuk iu atribuua vaksinës, deri kur kaluan disa muaj më vonë dhe pasi ishin vaksinuar shumë njerëz.

“Fakti që mund të zbulohej nuk kishte të bënte me faktin se të vaksinuarit duhej të vëzhgoheshin për një kohë veçanërisht të gjatë, derisa të ndodhte ky efekt anësor, por përkundrazi, duhej që shumë njerëz të vaksinoheshin para se të pikasej”, shpjegon imunologu Förster. Efektet anësore shumë të rralla mund të shihen vetëm kur ka një grup të madh personash të vaksinuar.

Ky efekt anësor i vaksinës Pandemrix ndodhi në mënyrë sporadike brenda disa javësh te fëmijët nga mosha katër deri në 19 vjeç. Bazuar në studimet epidemiologjike, priten dy deri në gjashtë raste të tjera të narkolepsisë për 100,000 doza të administruara tek fëmijët dhe adoleshentët. Aktualisht, vaksina nuk përdoret më në BE.

Çfarë efektesh anësore janë raportuar pas vaksinave kundër COVID-19?
Në raportin e vet të sigurisë, Instituti Paul Ehrlich, një agjenci shëndetësore federale gjermane që rregullon dhe studion vaksinat, liston efektet anësore të njohura, por shumë të rralla, të vaksinave të COVID-19. Ato përfshijnë, për shembull, miokarditin, një inflamacion të muskulit të zemrës dhe perikarditin, një inflamacion të perikardit, ku lidhja shkakësore ende nuk është sqaruar përfundimisht në rastet e raportuara deri më sot.

Për më tepër, janë raportuar reaksione anafilaktike, tromboza të sinusit venoz cerebral, sindroma Guillain-Barré dhe trombocitopeni ose trombocitopeni imun. Instituti nxjerr gjithashtu raporte vaksinash, të cilat përditësohen çdo muaj dhe përfshijnë informacione për shpeshtësinë e efekteve anësore.

Nuk ka probleme shëndetësore afatgjata të lidhura me vaksinat kundër COVID-19
Ekspertët kryesorë të imunologjisë në Gjermani përjashtojnë kryesisht mundësinë që njerëzit të sëmuren vite më vonë, si rezultat i vaksinimeve kundër COVID-19. Trupi i njeriut reagon ndaj vaksinës menjëherë pas marrjes së saj ose disa javë më vonë – dhe mund të zhvillojë reaksione vaksine ose simptoma më të rënda.

Në rastet më të këqija – të cilat janë, megjithatë, shumë të rralla – këto mund të jenë trombozë të sinusit venoz cerebral ose inflamacion të muskujve të zemrës, për shembull, të cilat gjithashtu mund të kenë një efekt afatgjatë në shëndetin e një personi. Meqenëse pothuajse 7 miliardë doza vaksinash janë administruar tashmë në mbarë botën, janë zbuluar edhe efekte anësore shumë të rralla. Studimet shkencore mbi efektet e mundshme afatgjata nuk janë ende të disponueshme.

Por efektet afatgjata ose të vona që nuk shfaqen për herë të parë deri disa vite pas vaksinimit, siç kanë frikë disa skeptikë të vaksinave, sipas imunologëve që kemi intervistuar nuk janë të mundshme dhe gjithashtu nuk njihen tek vaksinat e tjera.

Kjo është për shkak se vaksinat shpërbëhen me shpejtësi në trup dhe kështu nuk mund të shkaktojnë ndonjë reagim të qëndrueshëm.

/Burimi: Deutsche Welle – Bota.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *