Trupi juaj bart triliona qeliza. Por qelizat që keni sot, nuk janë që të gjitha të njëjtat qeliza që kishit dje. Me kalimin e kohës, qelizat plaken dhe dëmtohen, ndaj qelizat e trupit tuaj shumohen vazhdimisht, duke krijuar zëvendësuesit e tyre.
Ky aktivitet i vazhdueshëm qelizor ka krijuar një ide popullore: Çdo 7 vjet apo më shumë, qelizat tuaja kanë qenë aq produktive, saqë trupi juaj ka zëvendësuar çdo pjesë të vetes, nga qerpikët tuaj tek ezofagu. Pra, me fjalë të tjera, pas rreth 7 vitesh riprodhimi qelizor, ju jeni një koleksion krejtësisht i ri qelizash, si brenda ashtu dhe jashtë.
Por, a është e vërtetë kjo?
Jo tamam. Disa qeliza në disa organe dhe sisteme në trupin tuaj, zëvendësohen plotësisht brenda disa muajsh, por të tjerat mbeten thuajse të njëjta si ditën kur keni lindur. “Shumica e lëkurës dhe zorrëve zëvendësohen shumë shpejt, ka shumë të ngjarë brenda disa muajsh”, thotë për Live Science Olaf Bergman, studiues në Departamentin e Biologjisë Qelizore dhe Molekulare në Institutin Karolinska në Stokholm, Suedi.
Qelizat në mëlçi rigjenerohen me një ritëm disi më të ngadaltë, raportuan Bergman dhe kolegët e tij më 15 qershor gjatë një studimi të botuar në revistën “Cell Systems”. Për këtë studim, autorët analizuan indin e mëlçisë duke përdorur matjet me radiokarbon. Ata zbuluan se shumica e qelizave të mëlçisë zëvendësohen brenda 3 viteve.
Megjithatë, qelizat në organe dhe në sisteme të tjera të trupit tonë, janë edhe më të ngadalta për t’u riprodhuar, prandaj mbeten prapa kufirit 7-vjeçar. Për shembull, zemra e njeriut ripërtërihet me një ritëm shumë të ulët, me vetëm 40 për qind të të gjitha kardiomiociteve (qelizat përgjegjëse për forcën kontraktuese të këtij organi) që zëvendësohen gjatë gjithë jetës, thekson Bergman.
Ndërkohë, qelizat skeletore kanë nevojë për rreth 10 vjet që të riprodhojnë një skelet në tërësinë e tij. Në tru, ripërtëritja qelizore mund të jetë edhe më e ngadaltë. Shkencëtarët kanë zbuluar të dhëna që tregojnë se disa neurone në hipokampusit rinovohen, por vetëm me një normë prej 1.75 për qind në vit, sipas një studimi të vitit 2013 të botuar në revistën “Cell”.
Ndërkohë, sipas një tjetër studimi të botuar po në “Cell” në vitin 2014, disa lloje neuronesh brenda trurit rigjenerohen. Por llojet e tjera qëndrojnë te një person gjatë gjithë jetës së tyre, thekson eksperti. Madje, edhe popullatat e veçanta qelizore mund të rinovohen dhe nuk zëvendësohen tërësisht, por vetëm pjesërisht gjatë gjithë jetës, shton ai.
Por kjo ngre një pyetje tjetër: nëse pjesët tona të trupit, si lëkura, zorrët dhe mëlçia, ripërtërihen çdo disa vjet, atëherë pse të mos qëndrojmë të rinj përgjithmonë?
Pavarësisht sesa “e re” mund të jetë lëkura, zorrët dhe mëlçia jonë, ne ndihemi më të moshuar me kalimin e viteve për shkak të moshës sonë biologjike, thotë Bergman.
Edhe nëse qelizat e një personi janë relativisht të reja, mosha e tyre biologjike pasqyron mënyrën se si trupi i tyre reagon ndaj kalimit të kohës. Ndërsa organet rinovojnë qelizat e tyre, organet vazhdojnë të plaken për shkak të ndryshimeve në qelizat riprodhuese, siç janë mutacionet.
Ndërsa qelizat shumohen, ADN-ja ndahet dhe kopjohet vazhdimisht; dhe me kalimin e kohës në këtë proces ndodhin gabime. Në këtë mënyrë mutacionet mund të grumbullohen, dhe të ndikojnë në jetën e qelizës apo në aktivizimin e gjeneve të caktuara. Prandaj edhe nëse qelizat në pjesë të trupit tonë janë relativisht të reja, ADN-ja jonë e plakur dhe e kopjuar shumë herë na bën që ta ndjejmë peshën e gjithë atyre viteve që kanë kaluar./CNA