A nxisin inflacion global fitimet e korporatave?

Ndërsa çmimet e ushqimeve dhe mallrave mbeten të larta në shumë vende, disa ekonomistë thonë se inflacioni i vazhdueshëm është pjesërisht për shkak të korporatave që kërkojnë rritjen e fitimit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias sjell mendimet e disa ekspertëve për faktorët e ndryshëm që kanë ndikuar në rritjen e inflacionit.

Në Fondin Monetar Ndërkombëtar në Uashington, studiuesi Daniel Leigh thotë se ka një farë optimizmi për një ulje modeste të nivelit të inflacionit global këtë vit.

“Por kjo do të jetë një luftë e gjatë. Nuk mendojmë se shumica e vendeve do të arrijnë nivelin e ulur të dëshiruar të inflacionit deri në vitin 2025“, thotë zoti Leigh.

Faktorë të ndryshëm kanë kontribuar që ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim ta kenë inflacionin më të lartë nga objektivat e tyre.

“Një faktor ishte rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve pjesërisht nga lufta në Ukrainë. Dhe përveç kësaj shumë vende po përballen me mungesat në tregun e punës. Mungesa e punëtorëve të mjaftueshëm, po rrit pagat”.

Në ekonomitë kapitaliste, rritja e kërkesës sjell rritjen e çmimeve. Por disa analistë shohin një formë të pazakontë inflacioni, edhe pse, sipas vlerësimit të tyre, kërkesa mbetet e qëndrueshme.

“Në përgjithësi, kompanitë që janë mjaft të afërta me konsumatorët, kanë qenë në gjendje të bindin ata që të pranojnë jo vetëm rritjen e kostos, por edhe pak më shumë se aq. Dhe kjo është sigurisht rritja e kufirit të fitimit”, thotë Paul Donovan, ekonomist me kompaninë ‘UBS Global Wealth Management’.

Kjo mund të mos jetë një qasje e qëndrueshme, vë në dukje zoti Donovan.

“Nëse konsumatorët fillojnë të thonë në fakt, ’kjo nuk është një rritje e drejtë e çmimit, nuk do të paguaj për këtë’, atëherë kompanitë do të fillojnë të shqetësohen se nëse i rrisin kufijtë e fitimit shumë, vlera e emrit së tyre do të dëmtohet”.

Federata Kombëtare e Shitjeve me Pakicë përfaqëson një spektër të gjerë kompanish. Hulumtuesi kryesor i saj pohon se kërkesa e konsumatorëve është rritur në mënyrë dramatike dhe i vlerëson argumentat e “inflacionit të udhëhequr nga fitimi” si “të drejtpërdrejta”.

“Çdo ditë shumë nga kompanitë tona mendojnë për uljen e çmimeve. Kur çmimet e mallrave rriten kudo dhe inventarët janë të ulët, shitësit me pakicë i kalojnë disa nga këto kosto tek konsumatorët”.

Atë që disa mund ta shohin si rritje të çmimeve, të tjerë e shohin si kufirin e çmimit që përballon tregu. Disa mund të kritikojnë “fitimet e tepërta”, ndërsa të tjerë vërejnë se rritja e fitimit është normë në një sistem të tregut të lirë.

Ekonomistët thonë se fitimi mund të rritet edhe nëpërmjet praktikave të mira të menaxhimit.

“Nëse ke klientë më të mirë ose nëse ke një kapital njerëzor më të mirë brenda kompanisë, padyshim që do të kesh potencial ose do të kesh norma më të mëdha fitimi”, thotë Jonathan Fortun me Institutin e Financave Ndërkombëtare.

Ulja e kërkesës së konsumatorit mund t’i detyrojë kompanitë të heqin dorë nga rritja e çmimeve dhe të frenojnë inflacionin – synimi kryesor i bankës qendrore amerikane, e cila kohët e fundit rriti normat e interesit për të dhjetën herë në pak më shumë se një vit./VOA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *