Autoritetet në Kosovë, kohët e fundit, i kanë shpeshtuar paralajmërimet për një rrezik të mundshëm që mund t’i kanoset shtetit nga fqinji verior, Serbia. Por, sa herë që ato flasin për një kërcënim të tillë, nuk lënë pa përmendur aleaten e Beogradit, Rusinë, që ato thonë se është e interesuar për destabilizimin e veriut të Kosovës dhe të rajonit.
Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Beogradi dhe Moska kanë një të përbashkët: duan zgjerim. Për presidenten Vjosa Osmani, Serbia është “dorë e zgjatur e Rusisë”, e cila po përpiqet të luajë “lojërat e [presidentit rus, Vladimir] Putinit, duke hapur një front të ri ndaj Perëndimit”.
E, sipas kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Beogradi po përgatitet për një sulm apo provokim eventual ndaj Kosovës, sikurse ai që u krye në shtator ndaj Policisë së Kosovës, në Banjskë.
Por, kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, i ka cilësuar “drama mediatike” paralajmërimet se Kosova është e kërcënuar, duke thënë se një gjë e tillë “nuk është gjë tjetër veçse edhe një mjegull për sponsorët e saj perëndimorë”