Disa studiues në Universitetin e Insbrukutnë Austri vendosën të krahasojnë llojin dhe ashpërsinë e simptomave të rinosinuzitit akut midis meshkujve dhe femrave. Studimi u botua në “Journal of Psychosomatic Research”.
Shkencëtarët rekrutuan në studim 113 njerëz, tek të cilët ata vëzhguan simptomat e të ftohurit si dhimbjet e kokës, bllokimin dhe rrjedhjen e hundëve, ethet dhe shqetësimet në gjumë, si klinikisht (nëpërmjet një vlerësimi mjekësor) ashtu edhe subjektivisht (me pyetësorë vetë–vlerësues). Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 41 vjeç dhe 56% ishin gra.
Në aspektin klinik, mjekët nuk zbuluan dallime të rëndësishme midis burrave dhe grave mbi llojin dhe ashpërsinë e simptomave.
Megjithatë, u vunë re disa dallime gjinore. Gratë kanë një rikuperim dukshëm më të shpejtë: shenjat e të ftohurës lehtësohen dhe zhduken më shpejt se sa tek burrat dhe arsyeja mund të lidhet me hormonet seksuale në sistemin imunitar, që tek gratë aktivizojnë një përgjigje më të shpejtë dhe efektive.
Një ndryshim tjetër i vërejtur nga studiuesit austriakë, është se në vetëvlerësimin e simptomave, gratë raportojnë një ‘barrë’ shumë më të lartë se burrat. Pra, ajo që raportojnë gratë nuk i atribuohet tërësisht të ftohurës, por gjendjes klinike ekzistuese (për shembull, çrregullimet e gjumit ose dhimbjet e kokës janë më të zakonshme tek femrat sesa tek meshkujt) apo me kushteve më të vështira të jetesës.