Abazoviq bën një hap pas, kërkon falje për deklaratën për gjenocidin në Srebrenicë

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se deklarata e tij në 27-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë ishte “e paqartë” dhe u kërkoi falje familjarëve të viktimave.

“U kërkoj falje nënave të Srebrenicës për mendimin e shprehur në mënyrë të paqartë. Dihet se çdo vepër varet nga qëllimi i saj. Qëllimi im është paqja. Gjenocidi i kryer kundër boshnjakëve në Srebrenicë të mos përsëritet ndaj askujt”, shkroi ai në Telegram.

Kjo kërkim-falje vjen pasi familjarët e viktimave të gjenocidit, shoqatat dhe përfaqësuesit e partive politike në Mal të Zi, thanë se Abazoviq relativizoi gjenocidin në Srebrenicë.

“Gjenocidi nuk u krye kundër boshnjakëve, por kundër njerëzve, dhe nuk u krye nga ushtritë, por nga politikanët, politika e së keqes, politika e vdekjes dhe politika e mashtrimit”, tha Abazoviq, në përkujtim të 27-vjetorit të gjenocidit kundër boshnjakëve në Srebrenicë.

Pas kësaj deklarate, familjarët viktimave dhe shoqatat i kërkuan Abazoviqit që të kërkojë falje sepse definicioni i gjenocidit thotë se ai përbën “synimin për të shkatërruar plotësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar”.

Më herët gjatë 11 korrikut, shoqata “Nënat e Srebrenicës” tha se Abazoviq duhet t’iu kërkojë falje të gjithë viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

 

Reagime për deklaratën e Abazoviqit ka pasur edhe nga Mali i Zi, përkatësisht nga Partia Socialdemokrate, subjekt që është pjesë e Qeverisë së pakicës së Abazoviqit.

“Kryeministri i Malit të Zi po e relativizon gjenocidin në Srebrenicë? Turp për ty Dritan”, ka shkruar deputetja e kësaj partie, Draginja Vuksanoviq-Stankoviq.

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *