Udhëheqës të lartë demokratë përjashtuan të dielën mundësinë e zëvendësimit të Presidentit Joe Biden në garën për Shtëpinë e Bardhë, pas një paraqitjeje të dobët në debat, ndërsa u bënë thirrje anëtarëve demokratë që të përqendrohen në pasojat që do të kishte fitorja e presidencës nga republikani Donald Trump.
Pas shkëmbimit të akuzave disa ditore lidhur me paraqitjen e zotit Biden dhe rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit, udhëheqësit demokratë kundërshtuan me vendosmëri thirrjet që partia e tyre të përzgjidhte një kandidat më të ri për të konkurruar në garën presidenciale.
Presidenti 81-vjeçar, Joe Biden, e kaloi të dielën në vendpushimin presidencial “Camp David” me pjesëtarë të familjes, ku e ardhmja e tij politike mund të ketë qënë një nga temat e bisedimeve.
Ndërsa vazhdojnë thirrjet që zoti Biden të tërhiqet nga gara, një anketë pas debatit, nga rrjeti televiziv CBS, tregon një rritje nga 36% në muajin shkurt në 46% tani të demokratëve që besojnë se zoti Biden nuk duhet të kandidoj për president.
“Fatkeqësisht, e vërteta është se Biden duhet të tërhiqet nga gara, për të mirën e vendit, të cilit i ka shërbyer në mënyrë kaq të admirueshme për gjysmë shekulli”, shkruante të dielën në editorialin e saj gazeta “Atlanta Journal-Constitution”, duke theksuar si të nevojshme daljen e tij në pension.
“Absolutisht jo”, tha Senatori Raphael Warnok i Xhorxhias, i cili shihet si një nga demokratët e mundshëm për të zëvendësuar zotin Biden.
“Debate të dobëta ndodhin”, tha ai në emisionin televiziv “Meet the Press” të rrjetit NBC. “Pyetja qëndron se kur ka punuar Donald Trump-i për të tjerët, përveç vetes dhe njerëzve si ai? Unë jam me Joe Biden-in dhe është detyra jonë të sigurohemi që ai të fitojë në nëntor”.