Ka kaluar më pak se një muaj nga skandali i tenderit të uniformave të policisë të Ministrisë së Brendshme, dhe sërish nën hetimin e SPAK përfundojnë disa zyrtarë tw tjerë i të njëjtit institucion.
Ferdinant Tarazhi kryetari komisionit të Monitorimit në Ministrinë e Brendshme, i kallëzuar nga KLSH në SPAK për tenderat e disa godinave të policisë, është vënë nën hetim nga SPAK. Me Tarazhin janë kallëzuar edhe 4 zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Brendshme.
Mësohet se SPAK ka nisur hetimet për këtë rast dhe ka kërkuar sekuestrimin e praktikave për rikonstruksionin e komisariateve Vlore, Mirdite, Pogradec dhe Komisariatit nr. 4 në Tiranë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dorëzuar në SPAK, Prokurorinë e Posaçme Anti Korrupsion, një kallëzim penal ndaj 5 funksionarëve të Ministrisë së Brendshme. KLSH i akuzon se kanë abuzuar me tenderat për rikontruksion dhe ndërtimin e disa godinave, si Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Komisariati i Policisë Nr. 4 Tiranë, Komisariati i Policisë Pogradec, Komisariati i Policisë Mirditë.
Kontrolli i Lartë i Shteti ushtroi auditim financiar dhe përputhshmërie në Ministrinë e Brendshme dhe konstatoi mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cenuar barazinë e pjesëmarrësve dhe operatorëve ekonomik në këtë procedurë dhe njëkohësisht rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit.
/Priza.al/