Abuzimet nga institucionet e mikrofinancimit/ Shoqata e Bankave mbështet rregullimin e huadhënies konsumatore

Abuzimet e shumta që kanë ndodhur në dëm të konsumatorit shqiptar nga bankat ndër vite, por edhe nga institucionet e mikrofinancaës, detyruan një muaj më parë Bankën e Shqipërisë, që të mbledh specialistët e sektorit për të riparë rregulloren.

Por ndërkohë rregullorja që duhet të mbrojë konsumatorët përballë abuzimeve të institucioneve mikrofinanciare nuk ka hyrë ende në fuqi.

Megjithatë, sot Shoqata Shqiptare e Bankave duket se është shprehur pro masave për përmirësimin e rregullores, propozuar nga BSH-ja.

“AAB”-ja njoftoi se, është njohur me projekt-vendimin për ndryshimet në rregulloren e Bankës së Shqipërisë nr. 48, datë 01.07.2015 “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare” dhe vlerëson se këto ndryshime janë të mirëpritura.

Bazuar në zhvillimet e tregut financiar në vend, në transparencën, mbrojtjen e interesave të publikut, praktikat më të mira edhe në vende të tjera të zhvilluara, si dhe në kujdesin e shtuar për stabilitetin financiar të vendit, AAB mbështet iniciativën e Bankës së Shqipërisë dhe shpreh vullnetin e saj të plotë për të bashkëpunuar për përmirësimin e hartimit të projekt vendimit.

Diskutimi i konsultimit tashmë i filluar me industrinë bankare është pozitiv, plotësisht në mbështetje dhe i shëndetshëm për forcimin e praktikave më të mira në procesin e huadhënies, thotë Banka në një njoftim zyrtar.

Rregullorja 

Banka e Shqipërisë propozoi në fund të shkurtit disa ndryshime në projekt-rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekore”.

Rregullorja e ndryshuar përcakton konceptin e ri të normës efektive maksimale të interesit (NEI maksimal). Treguesi do të llogaritet duke u mbështetur në mesataren e thjeshtë të normës efektive të interesit për kredinë konsumatore dhe duke i shtuar kësaj mesatareje, një të tretën e saj.

Sipas projekt-rregullores së propozuar, Banka e Shqipërisë do të përcaktojë normën efektive maksimale të interesit për secilën nga kategoritë e kredisë konsumatore dhe intervalet e shumave të disbursuara në fund të çdo tremujori.

Këto norma do të publikohen në faqen e saj zyrtare të internetit dhe do të jenë në fuqi për tremujorin pasardhës. Për të llogaritur mesataren e thjeshtë të normës efektive të interesit,

Banka e Shqipërisë do të marrë në konsideratë të gjitha kreditë e disbursuara në tremujorin e mëparshëm deri në vlerën e 10 milionë lekëve, të cilat janë akorduar vetëm për individët dhe nuk janë të siguruara me anë të hipotekës, apo ndonjë sigurim tjetër mbi pasurinë e paluajtshme.

Banka e Shqipërisë do të përcaktojë normë maksimale interesi të posaçme, për secilën nga kategoritë e kredisë konsumatore, ku përfshihen kreditë me këste periodike, kreditë kufi (overdraftet), kartat e kreditit dhe qiraja financiare.

NEI maksimal do të ndahet gjithashtu sipas disa intervaleve të shumës së kredisë konsumatore, konkretisht për shumat deri në 200 mijë lekë, për ato nga 200.001 deri në 2 milionë lekë dhe 2.000.001 deri në 10 milionë lekë.

Për secilin nga kombinimet e produkteve dhe intervaleve të mësipërme, Banka e Shqipërisë do të publikojë normat efektive maksimale të interesit me interval tremujor.

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *