Qytetarët shqiptarë kanë organizuar protesta të ndryshme në vend, kundër dhunës seksuale ndaj grave e vajzave, të nxitura nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Mirditë disa ditë më parë, ku një 15-vjeçare u përdhunua nga 5 persona.
Në mbështetje të protestuesve ka dalë dhe Komuniteti Mysliman Shqiptar. Bujar Spahiu me anë të një reagimi në Facebook ka theksuar se është i papranueshëm çdo rast abuzimi ndaj gruas, gjysmës më të mirë të shoqërisë njerëzore.
Duke përmendur rastin e Mirditës, Spahiu bën thirrje që jo vetëm autoritetet duhet të bëjnë një reagim të shpejtë dhe shembullor, por duhet që edhe vetë shoqëria të bëjë të njëjtën gjë.
Reagimi i plotë:
Është i papranueshëm çdo rast abuzimi ndaj gruas, gjysmës më të mirë të shoqërisë njerëzore.
Rasti më i fundit i abuzimit me të miturën në Mirditë është tronditës.
Përveç reagimit të organeve kompetente, që duhet të jetë reagim i shpejtë dhe shembullor , i atillë duhet të jetë edhe reagimi i mbarë shoqërisë.
Raste të tilla duhen dënuar pa mëdyshjen më të vogël nga secili prej nesh, e kemi detyrim të reagojmë ndaj së keqes në çdo formë që ajo shfaqet.