Administrata e kualifikuar? Gjysma e punonjësve në shtet për 2020-ën, me shkollë të mesme ose 8-vjeçare

Gati gjysma e punonjësve në sektorin publik ishin me arsim 8-9 vjeçar ose të mesëm përgjatë vitit 2020, raportoi INSTAT në të dhënat administratave për punësimin.

Sipas grafikut bashkëngjitur rreth 6,6% e totalit të punonjësve në sektorin publik ishin me arsim fillor, ndërsa 38 për qind ishin me arsim të mesëm, të përgjithshëm ose profesional.

Pjesa tjetër prej 55.6% ishin me arsim të lartë. Në raport me vitin 2019 vihet re një rënie e peshës së punonjësve me arsim fillor dhe atë mesëm dhe një rritje me rreth 1 pikë përqindje të punonjësve më arsim të lartë në raport me totalin.

Punonjësit me arsim të ulët më së shumti janë pjesë e ndërmarrjeve me pronësi publike. Shumica e tyre kanë punonjës të kompanive të Energjetikes (KESH, OSSHE dhe OST) dhe ndërmarrjet e ujësjellësve. Gjithashtu kategoria e punonjësve me arsim të ulët është pjesë e administratës lokale dhe kujdesen për pastrimin dhe gjelbërimin në mjediset e përbashkëta.

Pjesa më e arsimuar me arsim të lartë është e përqendruar në administratën publike dhe institucionet qendrore të saj, në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë.

Administrata publike dhe sektori shtetëror vuan nga nepotizmi dhe përdorimi politik. Në tremujorin e parë të vitit 2021 punësimi në sektorin shtetëror u rrit me 9,700 persona në raport me një vit më parë. Pothuajse e gjithë shtesa ka ndodhur në tremujorin e katërt 2020 dhe më pak më pak në janar-mars të këtij viti, që përkon me periudhën e para zgjedhjeve të përgjithshme, që u mbajtën në 25 prill 2021.

Për rrjedhojë pesha e sektorit në punësimin total u rrit se tepërmi këtë vit. Në tremujorin e parë të vitit 2021 ishin të punësuar 124 mijë persona, të cilit përbënin 36.1 për qind e totalit të punësuarve pa përfshirë sektorin bujqësor. Pesha e sektorit shtetëror në punësim erdhi në rritje që nga tremujori i parë i vitit 2020 ku zinte 34.2 për qind të punësimit pa përfshirë bujqësinë.

Me këtë ecuri Shqipëria renditet në vendet me peshën më të lartë sektorit shtetëror në punësim.

Sipas të dhënave të Eurostat, në BE punësimi në sektorin publik zë mesatarisht 16 për qind në totalin e punësimit. Shqipëria hyn në vendet e ish bllokut komunist, kur të gjithë ishin të punësuar në shtet deri në vitet 1990. Me gjithë falimentet dhe privatizimet masive sektori publik vijon të jetë ende punëdhënës i madh në sektorin jobujqësor.

Me gjithë përpjekjet për të mbajtur një administratë të vogël qeveritë shqiptare kanë dështuar në këtë mision.

/Burimi: Monitor.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *