Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, sa i përket vitit 2021, dëmi i përgjithshëm në ekonomi si pasojë e keqpërdorimit dhe keqmenaxhimit të buxhetit të shtetit fiksohet pranë 74.5 miliardë lekëve në total, çka përkthehet në rreth 633 milionë euro në total. Por, cfarë domethënë kjo vlerë?
Rreth 633 milionë euro që vlerësohet dëmi në total përkthehet në plot 3.5% të asaj që e gjithë ekonomia shqiptare ka prodhuar gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë, 3.5% ka qenë pasha me të cilën ka rënë e gjithë ekonomia shqiptare gjatë vitit të pandemisë, atë 2020. Pra, thënë më thjesht, sipas KLSH, dëmi që i shkaktohet vendit nga vetë shteti në vit është i njëjtë me dëmin që pandemia shkaktoi gjatë 2020-ës, kur u paralizua thuajse çdo aktivitet ekonomik dhe shoqëror për një periudhë kohore të konsiderueshme gjatë vitit.
Po krahasuar me të ardhurat, pra paratë që arka e shtetit mbledh çdo vit nga taksapaguesit, sidomos nëpërmjet taksave dhe tarifave të ndryshme? Dëmi ekonomik është i barabartë me 14.6% të totalit të të ardhurave në buxhetin e shtetit gjatë vitit 2021. Pra, thuajse nga 7 lekë të derdhura në arkën e shtetit, 1 lek përkthehet në abuzim, pra ose ikën dëm, ose kanalizohet në drejtime të tjera, jo për qytetarët. Në nivel shpenzimesh së përgjithshme ndërkohë, 633 milionë euro përkthehen në 11.8% të totalit. Krahasuar vetëm me shpenzimet kapitale ndërkohë, pra investimet, dëmi ekonomik është i barabartë me 75.4%. Gjatë vitit 2021 totali i investimeve të qeverisë fiksohej në 838 milionë euro. Në rast se financat publike nuk do të ishin keqmenaxhuar, të paktën sipas shifrave të auditimeve të KLSH, atëherë investimet mund të ishin thuajse dyfish, ose më saktë rreth 1.5 miliardë euro, nga 833 milionë euro që janë aktualisht.
Po krahasuar me sektorë të veçantë? Shifra që sipas KLSH vlerësohet se është dëmi ekonomik që shkaktohet në vit nga keqmenaxhimi i financave publike është më e lartë se i gjithë sektori financiar dhe ai i sigurimeve në vend, më e lartë se sektorit i informacionit dhe komunikacionit apo sektori i “artit, argëtimit dhe çlodhjes”. Në rast se krahasimin do ta bënim me individët, shuma prej 633 milionë eurosh është e barabartë me pagën vjetore neto të rreth 132 mijë shqiptarëve (referuar pagës mesatare). Ose, thënë edhe më ndryshe, dëmi ekonomik është i barabartë me një rritje të përfarërt pagash për të gjithë shqiptarët e punësuar prej rreth 20%.
Të gjitha këto krahasime tregojnë përmasat e keqmenaxhimit të buxhetit të shtetit dhe jo vetëm, të cilat sipas KLSH janë kryesisht abuzim me fondet dhe tenderat./Scan Intel