Administrata Tatimore në terren, bllokohen 25 subjekte në Kamëz

Nё zbatim tё planit tё gjerё operacional pёr luftёn kundër Informalitetit, si njё nga objektivat e punёs së pёrditshme të Adminsitratёs Tatimore, strukturat e Drejtorisë së Verifikimit dhe Monitorimit nё Terren kanë kryer një sërë inspektimesh, nga ku rezulton se 25 subjekte, të pozicionuara në territorin e Bashkisë Kamëz ushtrojnë aktivitetin e tyre të paregjistruar në organin tatimor.

Në kundërshtim të plotë me legjislacionin tatimor në fuqi, ndaj tatimpaguesve është marrë masa e bllokimit të aktivitetit me shirita.

Një aksion i tillë i organizuar dhe i detajuar, me numër, lloj aktiviteti, dhe adresë ushtrimi veprimtarie, në një territor të një Bashkie (Kamëz) kryhet për herë të parë pas aksionit të vitit 2015.

Administrata Tatimore sqaron se gjithsej janë kryer mbi 60 kontrolle verifikimi, nga të cilët 25 individë, ushtronin aktivitet të paregjistruar në organet tatimore, 12 subjekte, që edhe pse ishin në listën e denoncuar nga Bashkia Kamëz për parregullsi, nga verifikimet rezultoi se ishin të regjistruara me NIPT dhe 2 subjekte që ishin me aktivitet të pezulluar, u riaktivizuan nga Administrata Tatimore konform legjislacionit në fuqi.

Ky aksion, duke pasur nё fokus sigurimin dhe plotësimin e detyrimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve do tё ketё shtrirje të vazhdueshme në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Gjatë kryerjes së detyrës, inspektorët e verifikimit dhe monitorimit në terren ishin të pajisur me uniformë identifikuese, risi kjo për Administratën Tatimore, e cila ka vendosur një standard të ri për identifikimin e inspektorëve në terren, me qëllim shmangien e abuzimeve dhe vizitave informale.

Administrata Tatimore sqaron se puna do të vijojë pasi lufta ndaj informalitetit na pёrket tё gjithёve, ndaj i lutemi çdo subjekti apo konsumatori të denoncojë rastet e parregullsive apo të abuzimeve me detyrën në zbatim të ligjit./monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *