Për të mos rrezikuar plotësimin e Formularit A2, ku do të listohen dhjetë degët më të preferuara me të cilat do të hyni në garë për studimet e larta universitare, duhet që të tregoni kujdes jo vetëm me shlyerjen e tarifës së aplikimit brenda afateve të caktuara, por edhe të bëni konfirmimin e saj në portalin e aplikimit me anë të kodit unik 6-shifror të faturës.
Sikundër ka ndodhur gjatë viteve të shkuara, edhe për këtë vit, konkurrimi për universitetin do të zhvillohet me tre raunde pranimi, deri në plotësimin e kuotave të miratuara për çdo program studimi të ofruar nga strukturat publike dhe ato private të arsimit të lartë në vend.
Sipas kalendarit të shpallur nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit, për raundin e parë aplikimi për plotësimin e formularit A2 me dhjetë degët më të preferuara do të zhvillohet në datat 29 korrik deri në datën 3 gusht. Ndërkohë që deri në datën 28 korrik, maturantëve dhe kandidatëve të tjerë që do të aplikojnë për kuotat e këtij viti, u është lënë afat që të shlyejnë tarifën e aplikimit prej 2,000 lekësh në një nga pikat e Postës Shqiptare, apo bankave të nivelit të dytë. Shlyerja e kësaj tarife në afatet e vendosura është vendimtare për të gjithë kandidatët që duan të vijojnë konkurrimin për të vijuar studimet e larta në universitet. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar kalendarin me afatet e aplikimit për secilin raund, si dhe grafikun e hapave që duhet të ndiqni për të bërë një aplikim të suksesshëm për kuotat e pranimeve të miratuara për Raundin e Parë.
Konkurrimi për universitetin
Në manualin udhëzues të shpallur tashmë, përcaktohet se edhe për vitin e ri akademik, aplikimi për maturantët dhe të gjithë kandidatët e tjerë që rikthehen në garë për studimet e larta do të bëhet nga portali online “u-Albania” në adresën: www.ualbania.al. Pasi të hyni në këtë faqe, duhet që të klikoni mbi butonin që shkruan “Aplikimi A2/A3”.
Në faqen pasardhëse do ju shfaqen 2 butona, dhe ju duhet të vijoni aplikimin duke klikuar në butonin që shkruan “Maturant”, për të hyrë në hapësirën e maturantit. Më pas, për t’u futur në platformën e aplikimit do shkruani ID-në tuaj të maturës dhe numrin personal të Letërnjoftimit (ai që fillon dhe mbaron me shkronjë), për të kryer identifikimin tuaj personal.
Në vijim do ju shfaqet hapësira personale që liston 3 seksione, të cilat janë: Seksioni i informacioneve personale ku do shikoni të dhënat tuaja, Seksioni i Faturës ku duhet të bëni shkarkimin e faturës për arkëtim, me të cilën do të kryeni pagesën pranë Postës Shqiptare ose në bankë, si dhe seksioni i aplikimit, i cili do të jetë i aksesueshëm vetëm pasi ju të keni bërë konfirmimin në sistem që keni shlyer tarifën e aplikimit prej 2 mijë lekësh. Vetëm pasi të jetë konfirmuar kjo gjë, ju do të mund të vijoni me përzgjedhjen e dhjetë degëve të studimit me të cilat do të konkurroni për të fituar universitetin.
“Në seksionin e aplikimit, deri në momentin që nuk është bërë konfirmimi i faturës nga mbikëqyrësi, do ju shfaqet mesazhi “Nuk mund të aplikoni sepse nuk keni konfirmuar pagesën!”. Pas konfirmimit të faturës, do ju shfaqen fushat për të zgjedhur preferencat”, sqarojnë autoritetet e arsimit të lartë.
Hapat që ndiqen me shkarkimin dhe konfirmimin e faturës
Pasi të keni hyrë në sistem duke plotësuar të dhënat përkatëse në hapësirën tuaj personale, duhet të shkoni tek seksioni i faturës dhe të bëni shkarkimin e saj.
Bëni kujdes, pasi fatura përmban një kod 6-shifror unik (kodi i aplikimit), i cili gjenerohet për çdo faturë. Ky kod do ju duhet për të konfirmuar pagesën pranë mbikëqyrësit të shkollës, dhe për të përfunduar plotësimin e preferencave. Autoritetet e arsimit sqarojnë se pasi të keni kryer pagesën, paraqituni me pjesën e poshtme të faturës, dhe me mandatin e pagesës te mbikëqyrësi i shkollës suaj, për të konfirmuar pagesën në sistem.
Edhe në këtë rast duhet që të tregoni shumë kujdes. Kjo pasi, ju mund të konfirmoni pagesën vetëm me kodin e faturës, me të cilën e keni kryer pagesën në bankë. Kur pagesa e faturës suaj të jetë konfirmuar do ju shfaqet mesazhi “Fatura juaj është konfirmuar” në seksionin e faturës. Çka do të thotë se në vijim ju do të mund të nisni me plotësimin e 10 preferencave për universitetin. Për të listuar degët të cilat ju japin më shumë akses për të qenë fitues, ju duhet të lexoni me kujdes rregullat e degëve për mesataren e aplikimit. Ju keni mundësi të zgjidhni deri në 10 preferenca, dhe pasi jeni të bindur për zgjedhjet që keni kryer, klikoni mbi butonin “Konfirmo”, dhe aplikimi juaj cilësohet i kryer. Ju mund të ruani edhe një kopje të aplikimit tuaj duke bërë shkarkimin përkatës të saj.
Kushti për mesataren e konkurrimit
Në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, kandidatët, që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë minimalisht me notë mesatare 6.5. Në degët e gjuhëve të huaja do të mund të konkurrojnë vetëm maturantët dhe kandidatët e tjerë që disponojnë një mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 7. Po ashtu, edhe për degët e mësuesisë në garë mund të përfshihen të gjithë maturantët që kanë mesatare të gjimnazit jo më të ulët se sa nota 7.5. Në këto degë mund të aplikojnë edhe maturantët që kanë mesatare më të ulët, por vetëm me kushtin që nuk mund të vijojnë studimet e ciklit të dytë në profilet e mësuesisë.
Për të garuar në degët për programet e teknikës dentare dhe higjienist dentar duhet një mesatare mbi notën 7, për degët logopedi, teknik laboratori, teknik imazherie, mami, fizioterapi, infermieri e përgjithshme duhet notë mbi 7.5, për degën e shëndetit publik duhet mesatare e gjimnazit mbi notën 8, si dhe për degët siç janë: mjekësia, farmacia, dhe stomatologjia në garë mund të përfshihen vetëm kandidatët që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 8.5 dhe më lart. Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve, si vijon: “mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore”.
Hapat e aplikimit për universitetin:
Duhet të hyni në portalin u-Albania në adresën u-albania.al.
Logoheni me ID mature dhe ID Kartës së Identitetit.
Shkarkoni faturën nga portali u-Albania.
Me faturën kryeni pagesën në postë ose bankë
Ruani me kujdes kodin unik të faturës.
Mandatin e pagesës dorëzojeni në shkollë për të bërë konfirmimin e pagesës.
Pasi të jetë konfirmuar pagesa në sistem ju do mund të zgjidhni 10 degët e preferuara në formularin A2.
Fatura dhe kodi që duhet të ruani me kujdes:
/gazetadita