Analisti, Mentor Kikia ka komentuar në lidhje me aferën e inceneratorëve ku ka pohuar se kjo është një nga çështjet më të mirëdenoncuar që drejtësisë i ka shkuar për shqyrtim
Kikia tha se në rast se nga shqyrtimi i kësaj dosjeje dalin të penduar, atëherë e gjitha do të ketë vlerë politike.
“Të penduarin prokuroria duhet ta kërkojnë nëpër dokumentet që ka. Është një nga çështjet më të mirëdenoncuara që ka pasur ndonjëherë drejtësia në dorë. Nëse do të flitet për një të penduar, më shumë sesa vlerë ligjore, do të ketë vlerë politike. Ai njeri që fshihet pas këtyre interesave mund të mos ketë firmosur ndonjë dokument, por në fund paguan ai që ka firmosur”, tha Kikia.
Ndër të tjera gazetari ka folur edhe në lidhje me sulmet që i ka bërë kryeministri Edi Rama në lidhje me SPAK-un, Kikia tha se më shumë sesa të tilla ato janë një formë presioni.
“Jemi në kushtet e një absurdi. Kryeministri është futur në garë me opozitën duke thënë se SPAK nuk po heton. Ose SPAK është kaq i pavarur dhe të dy palët e sulmojnë, ose ka një djallëzi në mes. Është e dyta. Akuzat që drejtohen mbi drejtësinë mund të përkthehen në formën e një presioni që duhet marrë parasysh për të mos bërë disa gjëra. Axhendën e SPAK nuk e vendos as kryeministri, as opozita. Mendoj që do të ishte e bardhë ajo ditë kur SPAK do të mund të hetonte krerët e politikës shqiptare. Shqiptarët duhet të dinë që nëse lidershpin e ka pasur të korruptuar, ta shohë para drejtësisë më në fund”, tha ai.