Partia Demokratike ka reaguar sërish në lidhje me aferën e inceneratorëve.
Përmes një deklarate për mediat, sekretarja Jola Hysaj tha se kompania e inceneratorëve nuk i djeg plehrat pasi akoma nuk kanë impiant, por i mbulojnë dhe se paratë nga xhepi i qytetarëve vazhdojnë të rrjedhin.
Sakaq shtoi se shkarkimi i zv.kryeministrit Arben Ahmetaj nuk ndryshon gjë në jetën e aferës sepse vjedhja shkon më lart se tigri prej letre.
“Kompania e inceneratoreve që nuk digjen kurrë dhe asgjë përveç parave publike do të marrë edhe 6.1 mln euro nga qeveria. Quajeni bonus për rrjepjen e qytetarëve, sepse mbetjet nuk digjen mbulohen sepse ende nuk ka një impiant. Paratë nga buxheti i shtetit pra nga xhepi juaj vazhdojnë të rrjedhin. Mafia e plehrave ka imunitet politik. Shkarkimi i Arben Ahmetajt nuk ndryshon gjë në jetën e aferës sepse vjedhja shkon më lart se tigri prej letre. Qeveria nuk ndalet se ato që e hanë janë peshqit e vegjël se të mëdhenjtë nuk preken. PD i bën thirrje SPAK që të vrasë frikën, çdo stepje çdo mbyllje sysh para shumave të tilla që nuk kthehen në punë. Opozita e bashkuar në frontin e betimit kombëtar do të përkrahë çdo prokuror që mbron interesin kombëtar Një qeveri që vjedh popullin e vet nuk përfaqëson shumicën por një klik. Shqipëria në rrezik”, tha ajo.