Një flamur kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar valëvitet me krenari pranë një fotografie në kornizë të Mbretëreshës së ndjerë, Elizabeth II, ndërsa një kuti telefonike ikonike e kuqe është vendosur në cep të një lokali ‘Britain Resto Lounge’, ndërkohë që makinat me targa të Mbretërisë së Bashkuar shfaqen përpara.
Nëse nuk do të ishte për sfondin mahnitës malor, lehtësisht mund të gaboheni duke menduar se jeni në kryeqytetin britanik. Por qyteti i Hasit, në verilindje të Shqipërisë, i quajtur ndryshe si “Londra e Vogël”, i cili e nderon shtetin që ka pranuar aq shumë qytetarë të tij, pavarësisht nga planet që ka qeveria britanike në Westminster për të ndalur fluksin e më shumë se 12,000 emigrantëve që ishin këtë vit.
Ky rajon prej rreth 22,000 banorësh është ndërtuar kryesisht me paratë e dërguara në shtëpi nga burrat në moshë pune, që bënë udhëtimet e rrezikshme përtej Kanalit anglez, deri në brigjet e Britanisë në kërkim të një jete më të mirë. Tani, ata e nderojnë atdheun e tyre të adoptuar, këtu në Has, ku shfaqen makina me targa të verdha dhe madje edhe projekte për një statujë të Mbretëreshës së ndjerë.
Ashtu si Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njerëzit në Has janë të indinjuar nga akuzat e Londrës se ata janë pjesë e një “pushtimi” emigrantësh. Banorët thonë se largimi për në Mbretërinë e Bashkuar i lejon ata të fitojnë jetesën por, shoqërohet me dhimbjen e çrrënjosjes, të udhëtimeve të rrezikshme dhe punës së palodhur, nga të cilat përfitojnë edhe punëdhënësit e tyre britanikë.
Sipas statistikave zyrtare të Mbretërisë së Bashkuar, shqiptarët janë tashmë grupi më i madh i vetëm që bëjnë kalime me varka të vogla në Kanalin anglez. Më shumë se 12,000 mbërritën në Britani këtë vit, krahasuar me 50 në 2020.
Shtetasit e vendit ballkanik prej 2.8 milionë banorësh kanë ikur nga papunësia për në Britani për dekada të tëra. Kryebashkiaku i Hasit, Liman Morina, duke folur nga zyra e tij ku flamujt britanikë dhe shqiptarë qëndrojnë krah për krah, i tha AFP-së se 80 për qind e zgjedhësve të tij “mbijetojnë falë punës së palodhur dhe të ndershme të të afërmve të tyre në Britani”.
RRËFIMI
Klodian Kastrati, një sociolog që punon në Has, tha: “Emigrimi është një epidemi që prek të gjithë të rinjtë këtu, të kontaminuar nga ideja për t’u larguar në Britani me shpresën për të krijuar një të ardhme më të mirë”.
Rajoni i Hasit është më i varfri i Shqipërisë dhe “emigrimi është i vetmi burim real për të mbështetur banorët e tij”, shtoi ai. Në rajonin, i cili ka rreth 22,000 banorë, janë duke u ndërtuar shtëpi të shumta në pronësi të emigrantëve.
Që kur Shqipëria hapi kufijtë e saj në vitet 1990, banorët janë larguar masivisht, të dëshpëruar për t’u shpëtuar vështirësive dhe izolimit, pasi përballuan shtypjen brutale në duart e diktaturës komuniste të vendit. Gati 1.7 milionë shqiptarë janë larguar, veçanërisht për në Itali, Greqi dhe Britani të Madhe, tregojnë shifrat zyrtare.
Në gjashtë muajt e parë të vitit, emigrantët dërguan në shtëpi 323 milionë paund, sipas Bankës Kombëtare. Rreth 140,000 shqiptarë jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, ku disa iu bashkuan shqiptarëve të Kosovës, të cilët gjetën strehim atje gjatë luftës kundër forcave serbe në fund të viteve 1990.
Ndërsa më të pasurit mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre në universitetet britanike, shumica e shqiptarëve punojnë në katering ose ndërtim. Thashethemet mbi nevojën për punëtorë në Britaninë e Madhe nën efektin e kombinuar të pandemisë dhe Brexit kanë qarkulluar me shpejtësi rrufeje, tha Granit Gojani për AFP. Pasi ka jetuar në Londër për një dekadë, 31- vjeçari së fundmi është kthyer në Has për të hapur lokalin e tij.
“Rrjetet sociale ofrojnë gjithashtu çmime më të favorshme (për të kaluar Kanalin) me gomone”, tha ai.
IKJA…
Gjimnazi i Hasit këtë vit kishte 40 nxënës më pak sivjet sesa në vitin 2021. Autoritetet franceze kanë konfirmuar rritjen e numrit të shqiptarëve në anën e tyre të Kanalit, duke përfshirë edhe kontrabandistët, megjithëse bandat kurde të Irakut ende dominojnë tregun. Disa migrantë janë të përfshirë në aktivitete të paligjshme, veçanërisht për të shlyer detyrimet te kontrabandistët.
Por “një grusht njerëzish që kanë probleme me ligjin nuk mund të dëmtojnë një komunitet të tërë, duke përfshirë biznesmenë, mësues, mjekë, punëtorë ndërtimi dhe fëmijë që aspirojnë të rriten”, tha Gojani. Me gjithë paratë që ka sjellë, kabinat e kuqe të telefonit dhe fotot mbretërore, emigracioni në Britaninë e Madhe ka lënë një trashëgimi dhimbjesh edhe në Has.
Familja e Drita Meshit pësoi një humbje shkatërruese në vitin 2016 dhe që atëherë ajo e ka bërë qëllim të jetës së saj të bindë të rinjtë shqiptarë që të qëndrojnë.
Djali i saj, i cili u zhvendos në Angli për të kërkuar një jetë më të mirë, u vra nga dy adoleshentë britanikë, të cilët i vunë zjarrin makinës kur ai ishte duke fjetur. Ai ishte 32 vjeç. Çdo ditë ajo mban zi në varrin e tij. Znj. Meshi, një punonjëse e Bashkisë së Hasit, ka dy fëmijë të tjerë që jetojnë ende në Londër. Ajo dëshiron të tërheqë investime në mënyrë që të rinjtë të kenë një nxitje për të ndërtuar jetën e tyre më afër shtëpisë.
“Për mua emigracioni është një plagë që ende rrjedh gjak”, tha Meshi për AFP, me lot në sy.
Burimi: AFP