Disa javë më parë, Dritan Agolli drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, u paraqit pranë Prokurorisë së Posaçme për të dëshmuar mbi disa procedura të tenderëve që ka zhvilluar.
Institucioni që ai drejton tenderon dhjetëra miliona euro në muaj, ku në disa raste procedurat janë shumë të dyshimtë.Madje, disa kohë më parë ai i dha kuzhinierit të djalit qindra mijëra euro për përgatitjen e menuve. Fondi ka në zhvillim edhe disa tendera për ndërtime restorantesh, një në Tiranë dhe tjetri në Llixhat e Përmetit.
Duket se FSHZH-ja është kthyer në një “qokë” për klientët e qeverisë, të cilët fitojnë tendera me lehtësinë më të madhe.
I tillë është edhe tenderi që redaksia e VoxNews ka siguruar dokumentet.
Duket se Agolli i ka bërë një “sfidë” të hapur SPAK-ut, pasi nga 4 firma në garë, ai ka skualifikuar 3 që kanë ofruar më pak dhe ka shpallur fituese firmën me afertën më të lartë.
Një guxim i tepruar i këtij titullari, i cili tashmë po vepron “hapur” edhe me dokumente!
Dokumenti i mësipërm është shpallja e njoftimit të fituesit të një procedure prokurimi. Fondi ka shpallur fituese firmën “Fusha”, në tenderin me objekt “ndërhyrje në zona sportive dhe lodra për fëmijë ‘Dua të luaj’ faza II”, me një kohëzgjatje të kontratës 24 muaj. Kriteret e përzgjedhjes së fituesve ishin oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në kosto.
“Me anë të këtij formulari, ju informojmë se, në këtë procedurë kanë marrë pjesë operatorët ekonomikë me vlerat përkatëse si më poshtë. ‘FUSHA’ me një vlerë 530.987.260 lekë pa TVSH.
‘ZDRAVA’ & ‘ERAL CONSTRUCTION’ & ‘BESTA’ mevlerë 414.993.101 lekë pa tvsh, e skualifikuar. BOE ‘INERTI’ & ‘ED KONSTRUKSION’ me vlerë 401.031.655 lekë pa tvsh, skualifikuar.
Oferta e ‘BE – IS’ me vlerë 530.091.298 lekë skualifikuar” thuhet në këto dokumente. Pra, nga 4 firma në garë, 3 u skualifikuan dhe oferta më e lartë ajo e firmës “FUSHA” u shpall edhe fituese!
VoxNews shfletoi dokumentet, ku rezulton se firma e parë e skualifikuar, BOE “Zdrava” etj, u zerua oferta për arsye se ska “përvojë të suksesshme në realizimin e punëve të ngjashme”.
“Punë të ngjashme për një objekt të vetëm në një vlerë jo më të vogël se 50% e vlerës së për llogaritur të kontratës që prokurohet, të realizuar nga operatori ekonomik gjatë pese vitet të fundit nga data e publikimit te njoftimit te kontrates oseb)
Punë të ngjashme deri në një kufi ku vlera monetare totale e punëve të kryera e marrë së bashku gjatë pese viteve të fundit nga data e publikimit te njoftimit te kontrates është në një vlerë jo më të vogël se dyfishi i vlerës limit të kontratës që prokurohet.
Plotësimi i njërit prej dy kushteve të sipërpërmendura e bën ofertën të kualifikueshme” thuhet në këto dokumente.Duket se dokumentet standarte të tenderit janë bërë vetëm e vetëm që firma e “preferuar” të shpallej edhe fituese.
FSHZH shkruan se ishte vendosur kriter i punëve të ngjashme që kontratat duhet të jenë përfunduar brenda pesë viteve të fundit nga data e publikimit të njoftimit të kontratës.
Madhësia e kontratave duhet të përmbushë kërkesën e autoritetit kontraktor, qoftë 50% apo 200% të vlerës së kontratës që prokurohet dhe kontratat duhet të jenë të ngjashme me objektin që prokurohet.
Ndërkohë, firma e dytë e skualifikuar është “INERTI” & “ED KONSTRUKSION”, sërish me të njëjtën arsye, “përvojës së suksesshme në realizimin e punëve të ngjashme”.
Firma e tretë që ofroi më pak ishte “BE – IS”.
Arsyeja e skualifikimit? Sërish s’ka përvojë të suksesshme në realizimin e punëve të ngjashme! Arsyet janë të ngjashme për të tria firmat e skualifikuara, duke hedhur hije të rënda dyshimi se dokumentet i janë përshtatur vetëm një firmë.