Një agresion me motive politike, e ka konsideruar përplasjen e sotme kandidati për deputet nga radhët e PD-së Luçiano Boçi dhe biznesmenit të njohur të peshkut Gjergj Luca. Ky rast është shënuar në një lokal në zonën e Labinotit, ku Luca ushtron aktivitetin e tij, ndërsa Boçi ka shkuar për takim me banorët, në kuadër të parapërgatitjes për fushatën e zgjedhjeve. Dy personat e përfshirë në konflikt, kanë bërë denoncim në Prokurorinë e Elbasanit.
Kandidati për deputeti i PD në Elbasan, Luçiano Boçi, ka rrëfyer edhe si ndodhi sherri me biznesmenin Gjergj Luça. Boçi thotë se biznesmeni e ka kërcënuar me jetë, dhe se sherri filloi teksa ai po takohej me disa biznese në zonën e Elbasanit.
“Agresion me motive politike. Të majtët janë në panik, të frikësuar nga humbja. Isha në një takim elektoral në Labinot, ku z. Luca ka disa biznese. Kisha një takim me demokratët, dhe ai është afruar duke më ofenduar dhe më pas ka pasur një përplasje fizike. Gjatë përplasjes më ka kërcënuar me jetë. Menjëherë pas incidentit i jam drejtuar organeve ligjzbatuese, për të kryer procedurat”, ka thënë Boçi.
Vlen të theksohet fakti se ky nuk është rasti i parë që biznesmeni Luca bëhet protagonist në përplasjet me demokratët. Ai më herët ka sulmuar opozitën, qoftë edhe presidentin e vendit Ilir Meta, pas cilësimit që ky i fundit i bëri si oligark.