Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres pas një bisede telefonike me presidentin rus Vladimir Putin tha se perspektivat për paqen në Ukrainë janë minimale.
Gjatë një conference për shtyp, Guterres theksoi se ai dhe Putin kanë diskutuar përpjekjet për të kapërcyer “pengesat” që mbeten të lidhura me eksportet e ushqimit dhe plehrave kimike të Rusisë. Më tej ai paralajmëroi se do të ishte “naive” të besohej se ka pasur përparim të mjaftueshëm drejt një përfundimi të shpejtë të luftës në Ukrainë.
“Kam ndjenjën se jemi ende shumë larg paqes. Do të gënjeja nëse do të thosha se mund të ndodhë së shpejti. Nuk kam asnjë iluzion, për momentin shanset për një marrëveshje paqeje janë minimale”, tha Guterres.
Pavarësisht vlerësimit të tij të zymtë për luftën që ka shpërthyer që kur Rusia pushtoi fqinjin e saj në fund të shkurtit, Guterres njoftoi se po mbante kontakte me të dyja palët dhe shprehu shpresën se një ditë do të jetë e mundur të shkohet në një nivel më të lartë diskutimi.