Certifikimi i subjekteve si agroturizëm bëhet në bazë të disa kritereve që janë në zbatim qysh nga vitit 2018. Por një rishikim i këtij vendimi së fundmi ka ndryshuar disa pika.
Kështu së pari kemi të bëjmë me ndryshimin e formulimit të asaj se çfarë duhet të ofrojë një agroturizëm. Sipas vendimit të mëparshëm agroturizmi duhet të ofrojë njëkohësisht zotërimin e një ferme bujqësore/blegtorale, shërbimin e akomodimit, të ushqimit dhe të aktiviteteve rekreative.
Ndërkohë që me ndryshimin e ri agroturizmi duhet të zotërojë një fermë bujqësore ose blegtorale ose njësi agrikulturore dhe të ofrojë aktivitete argëtuese/edukative, shërbimin e ushqimit e pijes dhe akomodim.
Po kështu kemi të bëjmë me një saktësim sa i takon tokës. Nëse më herët thjesht përcaktohej që duhet të kishte 1 hektar tokë tashmë nënvizohet që kjo tokë ose mund të jetë e tyre ose mund të jetë e marrë në përdorim.
Një tjetër element që shtohet është ajo e specifikimeve se çfarë duhet të kenë njësitë agrokulturore që në vendimin e mëparshëm specifikohej shkurt duke referuar respektimin e kritereve të ligjit për akuakulturën, për prodhimet bujqësore e blegtorale.
Tashmë me vendimin e ri specifikohet që njësitë agrikulturore që kanë aktivitet në: “i. përpunimin e produkteve bujqësore dhe të paktën 1 (një) ha tokë të mbjellë me kultura bujqësore. Subjekti duhet të ketë edhe një ambient për përpunimin e produkteve bujqësore; i. përpunimin e produkteve blegtorale dhe mbarështimin e të paktën 10 (dhjetë) krerëve gjedhë ose 100 (njëqind) krerëve dele ose dhi ose 200 (dyqind) krerëve shpendë.
Në këtë rast, subjekti duhet të ketë edhe një ambient për përpunimin e produkteve blegtorale, si p.sh.: qumësht, djathë, kos, dhe për mjeljen e lopëve e deleve;iii. akuakulturën, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për akuakulturën. Në këtë rast, subjektet duhet të kenë në pronësi ose përdorim sipërfaqe ujore jo më të vogël se 3 000 (tre mijë) m2.
Subjekti duhet ta përdorë këtë sipërfaqe për kultivimin dhe rritjen e peshkut ose midhjes; iv. bletërritjen dhe prodhimin e mjaltit, si dhe të ketë të paktën parkun e bletëve, me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje. Në këtë rast, subjekti duhet të ketë në pronësi ose përdorim një ambient për vendosjen e bletëve, si dhe për mbledhjen e prodhimin e nënprodukteve të mjaltit”.
Lidhur me kapacitetin e restorantit vendimi i ndryshuar ka saktësuar se tashmë nuk kemi të bëjmë më me numër tavolinash 6 deri në 60 por me numër vendesh duke e ndryshuar këtë në 10 deri në 80 vende uljeje.
Lidhur me dhomat në vendimin e vjetër një nga kriteret ishte nga 6 deri në 30 ndërsa tani është ndryshuar duke u llogaritur me numër shtretërish duke vendosur një kufizim nga 6 në 60 shtretër.
Vendimi ka bërë një shtesë edhe për bujtinat duke nënvizuar në një pikë të re se përjashtimisht, për subjektet që kanë të kategorizuar strukturën akomoduese si “bujtinë”, agroturizmi mund të zhvillohet edhe në: a) fermë bujqësore, e cila ka të paktën 1 (një) ha tokë në pronësi ose përdorim, të mbjellë me kultura bujqësore;b) fermë blegtorale, e cila mbarështon, të paktën, 5 (pesë) krerë gjedhë ose 50 (pesëdhjetë) krerë dele ose dhi ose 100 (njëqind) krerë shpendë. njësi agrikulturore, e cila ka si aktivitet bletërritjen dhe prodhimin e mjaltit, me të paktën 30 (tridhjetë) zgjoje bletësh./Monitor