A është e mundur që një robot të bëj art? Me sa duket zhvillimet teknologjike kanë bërë të mundur diçka të tillë.
Në Muzeun e Dizajnit, në Angli, është publikuar një portret i vizatuar nga një robot, i cili quhet Ai-Da. Androidi me madhësinë e një njeriu është i pari i këtij lloji, sipas muzeut të Londrës.
Ai është programuar posaçërisht për të pasur aftësi krijuese, sic është arti dhe imagjinata.
Ky robot është krijuar nga Kompania e robotëve ‘Engineered Arts’, në bashkëpunim me ekspertët e Universitetit të Oksfordit, të cilët kanë zhvilluar algoritmet AI.
Ai-Da është në gjendje të ‘shohë’ me anë të kamerave që i janë montuar në sy, të cilat lidhen me një sistem kompjuterik vizioni. Më pas, pamjet vizive interpretohen nga një algoritëm AI që do të thotë se Ai-Da mund të krijojë portretin e një personi që qëndron para syve të saj. Puna e bërë nga roboti Ai-Da nuk është riprodhim, por krijim unik.
“Portretet bëhen me anë të një teknike të kombinuar të shtresëzimit”, shpjegon themeluesi dhe drejtori i galerisë Ai-Da, Aidan Meller.
“Ka vizatim, ka algoritme, ka reagime, ka fotografi, është një mision i tërë që bashkon shumë lloje teknikash. Dhe ju po shikoni nëpër ato shtresa”, u shpreh z. Meller.
Portretet e vizatuara nga Ai-Da që janë shfaqur në muzeun e Dizajnit në Londër, janë krijuar përmes një përzierje të penelatave të robotit, algoritmeve AI dhe disa ndërhyrjeve ndihmuese nga dora e njeriut.
“Prania e vetë robotit Ai-Da në muze dhe shfaqja e punëve të saj, të bën të shtrosh pyetjen se çfarë është krijimtaria? A mundet që një robot të krijojë art?” tha Priya Khanchandani, punonjëse në muzeun e Dizajnit në Londër.
“Unë mendoj se këto janë pyetje që ne nuk i bëjmë haptazi në jetën e përditshme, edhe pse ne ndërveprojmë me teknologjinë gjatë gjithë kohës”, shtoi Priya Khanchandani.
[Burimi “Euronews”/ përshtati “Priza.al”]