Një tjetër video amatore qarkullon në mediat dhe rrjetet sociale amerikane, që tregon se atentatori 20-vjeçar i Donald Trump pati kohë të mjaftueshme për t’u ngjitur në tarracën e ndërtesës.
Në këtë video të filmuar nga qytetarët që ishin në tubimin elektoral të Donald Trump, shihet autori që ngjitet në tarracë. Gjatë kësaj kohe, nuk pati asnjë reagim nga forcat e policisë dhe agjentët e Shërbimit Sekret Amerikan.
Pikëpyetjet e ngritura janë përse u lejua të ngjitej mbi tarracë dhe nuk pati reagim?
Analistët dhe ekspertët amerikanë të sigurisë kanë ngritur shqetësimin se u neglizhua siguria.
Në këtë video të re, dëgjohen edhe qytetarët që bërtasin dhe kërkojnë policinë.
“Ai po ngjitet në çati, e shihni? A është shtrirë? E shikojmë, është shtrirë. Policia, dikush në çati”, ka bërtitur një qytetar.
Sipas Associated Press, një oficer i policisë lokale u ngjit në çati dhe sapo pati kontakt me 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks, ky i fundit i drejtoi pushkën. Oficeri u tërhoq, ndërsa Crooks më pas nisi të qëllonte në drejtim të Donald Trump.