Në një qytet të mbushur me superlativa, është shtuar struktura më e re në listën e gjatë të ndërtesave “më të mëdha” dhe “më të larta” të Dubait.
Ain Dubai, rrota gjigante e vëzhgimit, që ka qenë në proces ndërtimi në ishullin Bluewaters të qytetit për më shumë se gjashtë vjet, do të përurohet më 21 tetor 2021, duke u bërë kështu rrota më e madhe e vëzhgimit në botë.
Mbi 250 metra, Ain Dubai është 82 metra më e lartë se rrota më e lartë aktuale në botë, Roller High në Las Vegas. Ajo është pothuajse sa dyfishi i madhësisë së Syrit të Londrës, i cili ngrihet mbi lumin Tamiz në 135 metra lartësi.
Në Dubai ndodhet gjithashtu kulla më e lartë në botë (Burj Khalifa), restoranti më i lartë në botë, pishina më e lartë në botë, shfaqja më e madhe me shatërvanë në botë, slita më e shpejtë në botë, parku i brendshëm më i madh në botë…dhe rekorde të tjera.
Ndërtimi i Ain Dubai nisi në maj 2015, dhe data e përfundimit ishte parashikuar nga fillimi ose mesi i vitit 2019. Kjo datë u shty më vonë deri më 20 tetor 2020, dhe më pas u shty edhe një vit për shkak të pandemisë.
Rrota ka kapacitet për 1,750 njerëz.
Darren Brooke, drejtori i lartë teknik, tha për CNN se ekipi i tij “po i rriste standardet vazhdimisht”.
“Struktura ka një sipërfaqe katër herë më të madhe se një rrotë standarde, prandaj duhej ta vendosnim më tepër theksin te projekti, duke u siguruar që qasja e dizajnit të jetë sa më e rafinuar, por duke qëndruar brenda standardeve të projektimit”.
Shifrat janë vërtet mbresëlënëse. Për ndërtimin e strukturës është përdorur 11,200 tonë çelik, rreth 33% më shumë se sasia e përdorur për ndërtimin e Kullës Eifel. Forca maksimale e nevojshme për të ngritur rrotën ishte 2,500 ton. Qendra dhe boshti i strukturës peshon 1,805 tonë – sa katër aeroplanë A380 – ndërsa pesha e skeletit dhe e 48 kabinave të pasagjerëve është 7,500 tonë.
Nëse 192 shufrat që mbajnë rrotën në vend, do të vendoseshin në rresht njëra pas tjetrës, ato do të shtriheshin nga Dubai në Kajro. Secila prej 48 kabinave mund të mbajë nga 40 persona, që do të thotë se në Ain Dubai mund të hipin deri në 1,750 njerëz gjatë një xhiroje.
/Burimi: CNN/ Përshtati Priza.al/