Nuk dihet nëse ka pasur një përpjekje konkrete për të “blerë heshtjen” mbi vdekjen në dukje aksidentale të Ajdin Mustafit në datën 10 shtator, në një prej dhomave të holel “Rognerit”, por mes pronarit të madh austriak tëë të gjithë rrjetit dhe vëllait të viktimës ka pasur një telefonatë.
Megjithatë, familja Mustafi nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut, po kërkon nga autoritetet shqiptare që të zbardhet mënyra se si humbi jetën djali i tyre 28-vjeçar, biznesmen i suksesshëm me banim në Zvicër.
Bazuar tek versioni zyrtar i dhënë nga Policia dhe i publikuar edhe në media, Ajdin Mustafi ra tragjikisht nga ballkoni i hotel “Rogner” në Tiranë, dhe humbi jetën më pas në spital, pasi më parë parmakët metalikë të ballkonit ishin shkulur nga vendi ku duhet të ishin të fiksuar dhe për pasojë ai kishte rënë mbi një automjet duke ndërruar kështu jetën.
(Foto: Mehmet Mustafi, babai i të ndjerit Ajdin Mustafi)
Babai i të riut, në një prononcim për emisionin “Me zemër të Hapur” në “News24”, tregoi se zemra i’u nda në dysh ku mësoi lajmin e kobshëm.
Ai tha se u ndje i lehtësuar kur mësoi se djali kishte rënë aksidentalisht dhe nuk ishte shtyrë nga një tjetër person që me gjasë mund të kishte qenë brenda dhomës së tij, ndërsa shtoi se, arsyeja e vdekjes tragjike ishin parmakët metalikë të pa vendosura mirë në anët e murit të ballkonit të hotelit.
“Dhimbja ime ishte e madhe. Fatmirësisht thash nuk ishte njeri që e hodhi, por ishte një tjetër dhimbje, një djalë 28-vjeçar që erdhi me pushime në Tiranë dhe të japë jetën nga pakujdesia, atëherë m’u shtua dhimbja më e madhe. Barrierat ishin të pa fiksuara dhe ky ishte shkaku i aksidenti”,- tha babai i djalit.
(Foto: Ajdin Mustafi)
Ai tha se, djali në momentin që kishte rrëzuar nga ballkoni, pasi parmaku ishin shkëputur, kishte rënë mbi një makinë dhe kishte marrë plagë të rënda. Madje ai ndahu me publikun disa detaje tragjike, fjalë të fundit të të birit pak para vdekjes, me një nga punonjësit e hotel “Rogner” që ishte caktuar ta shoqëronte për në spital.
Por edhe pas gjithë kësaj tragjedie, hotel “Rogner” ka vijuar të hesht duke u munduar ta mbajë këtë ngjarje jashtë vëmendjes së opinionit publik, në një kohë që aty ka vijuar aktiviteti normal i punës gjatë gjithë këtyre ditëve.
(Foto: Ballkoni i dhomës së Hotel “Rogner” nga ku u rrëzua Ajdin Mustafi)
“Priza.al” një ditë pas aksidentit tragjik mori kontakte me përfaqësues të hotel “Rogner”, dhe nga ana e tyre u premtua se do të reagonin publikisht për ta zbardhur ngjarjen e rëndë.
Por deri më sot nuk ka ardhur asnjë reagim zyrtar nga ana e stafit administrativ të hotel “Rogner”, në një kohë që duket se përgjegjësia edhe pse aksidentale rëndon pikërisht mbi këtë kompani, që tani duhet të përgjigjet për dëmtimin me humbje jete të klientit të saj, si pasojë e papërgjegjshmërisë nga ana e hotelit.
/Burimi: News24/ Priza.al/