Në lidhje me HARABEL CONTEMPORARY
Një sqarim tjetër mbi “Harabelin”, që për disa paska qenë një grabitqar i madh.
Së pari, Harabel Contemporary nuk është një shoqëri tregtare (kompani), por është një Organizate Jo-Fitimprurëse (OJF). Kjo, në bazë të ligjit shqiptar, do të thotë se Harabeli NUK ka pronarë dhe NUK gjeneron fitim dhe nëse në fund të vitit financiar në llogarinë e një OJF-je mbeten të holla, ato NUK shpërndahen dhe as transferohen, por mbeten në arkën e organizatës dhe përdoren për projektet e saj në vitet pasardhëse.
Çuditërisht, në akt-akuzën ndaj meje thuhet se unë qenkam “pronare” e Harabel. A shkruhet kështu sepse akuzuesit ngatërrojnë ç’është ligjërisht një OJF apo se nuk kanë dashur të kuptojnë se unë nuk jam pronare e Harabel as ligjërisht, as praktikisht, këtë s’di ta them. Kohët e fundit nuk kuptoj më dot edhe gjëra që deri dje më dukeshin të thjeshta fare.
OJF-ja që e quajtëm me emrin Harabel nisi ideimin në vitin 2017 dhe u themelua në fillim të vitit 2018. Pra ka kryer 7 vite veprimtari deri më sot. Ideimi ishte produkt i bashkëbisedimeve mes meje dhe Driant Zenelit, artist i mirënjohur bashkëkohor në Shqipëri, por sidomos ndërkombëtarisht. Në themelimin e OJF-së na u bashkuan edhe 2 vajza të tjera.
Harabel lindi nga dëshira për të dhënë një kontribut serioz dhe ndihmues në skenën e artit bashkëkohor në Shqipëri. Asnjëri nga ne nuk pati kurrë qëllime fitimi, madje përkundrazi dhe për këdo që e njeh këtë fushë nuk është fare për t’u çuditur që të angazhohesh për të ndihmuar jo për të fituar. E kundërta do t’i çudiste të gjithë, sepse me art mund të fitojnë galeritë e mëdha ndërkombëtare, të tjerat mbijetojnë, ndërsa OJF-të as që nuk lindin për të fituar.
Harabel sot numëron një pafundësi projektesh, nga më të vegjlit deri tek shumë të mëdhenjtë (shifrat janë më poshtë). Aktiviteti i Harabel është publik, me përshkrime, emra, foto e video, në faqen: harabel.org.
NE SHTATE (7) VITE AKTIVITET, Harabel ka realizuar:
- 30 ekspozita të artit vizual: me të paktën 220 artistë të shfaqur dhe mbi 15 kuratorë, shqiptarë dhe të huaj;
- 28 bashkëbisedime me personalitete të artit, me të paktën 41 të ftuar (artistë/kuratorë/arkitektë/historianë), shqiptarë dhe të huaj;
- 12 shfaqje performative me në thelb filmin, me të paktën 46 artistë, mshqiptarë dhe të huaj;
- 8 vepra publike të instaluara + 3 vepra publike kohëshkurtra, me të paktën 17 artistë, shqiptarë;
- 23 evente të artit në bashkëpunim (përfshirë këtu Festivali i VideoArtit të Tiranës, Festivali i Dancit Bashkëkohor, Manifesta Biennal, DokuFest, etj. etj. etj.), me më shumë se 277 artistë, mshqiptarë dhe të huaj;
- 9 workshope, me 24 artistë drejtues të workshopeve dhe mbi 222 pjesëmarrës artistë të rinj;
- shumë ekspozime e aktivitete për prezantimin e artistëve shqiptarë jashtë vendit.
Pra në total, NË 7 VITE AKTIVITET, HARABEL KA REALIZUAR MBI 113 AKITIVITETE TË ARTIT, KU KANË MARRË PJESË MBI 625 ARTISTË
(pa llogaritur pjesëmarrësit në workshope apo artistët kandidatë, të cilët nuk janë shfaqur, se do të kalonin mbi njëmijëshin).
Harabel ka paguar qindra artistë, kuratorë (jo mua), kompani artistike apo kompani mbështetsëse në realizimin e aktiviteteve artistike. Bilancet e Harabel janë dorëzuar rregullisht pranë tatimeve dhe mund të gjenden lehtësisht, janë dorëzuar edhe pranë shumë organeve e institucioneve europiane e ndërkombëtare, ku Harabel ka aplikuar për projekte dhe është pranuar. Harabel ka numëruar edhe me dhjetëra punonjës me kontratë pune, të cilët kanë punuar gjithmonë me një pasion aq të madh, sa për shumë dembelë ka qenë shumë e vështirë të besonin se si ia dilnim të bënim kaq shumë punë. Ia kemi dalë dhe kemi qenë dhe jemi një skuadër pozitive (pavarësisht traumës së kalimit në testin e presionit psikologjik të këtij hetimi haluçinant), me pasionin për artin dhe dëshirën e mirë për t’i bërë mirë qytetit dhe vendit tonë.
Gjatë këtyre 7 viteve, që në themelim, unë kam qenë anëtare dhe Drejtuese e Bordit të Harabel (pa pagesë). Nuk kam qenë Drejtoreshë Ekzekutive e Harabel (jemi në proces) dhe angazhimi im si Drejtuese Artistike e Harabel ka qenë pa pagesë (jam paguar vetëm për 3 projekte specifike, të cilat do t’i listoj më poshtë; dhe e rinënvizoj, kjo është normale në botën artit, ndërkohë që unë të ardhurat e mia i kam nga studioja e avokatisë).
Në total, në 7 vite aktivitet, bilanci financiar i Harabel ka qenë 4 vite me minus dhe 3 vite me një plus të vogël. Edhe në 2 vitet e fundit, Harabel ka bilanc negativ. Pra, thënë thjesht: Harabel mban veten e vet, dhe jo me lehtesi (edhe kjo është krejt normale në botën e organizatave jofitimprurëse të artit e kulturës).
Në 7 vite ekzistencë, buxheti TOTAL Harabel për të 7 vitet BASHKE ka qenë PREJ 653’591 euro (brut), ku numërohen aplikime e donatorë ndërkombëtarë, europianë e shqiptarë, nga më të shumtët në numër e lloj. Gjatë këtyre 7 viteve, Harabel ka përfituar vetëm 3 projekte në Ministrinë e Kulturës (totali i fondeve nga Ministria e Kulturës është e barabartë me 34’804 euro brut, dhe këtu përfshihet edhe fondi prej rreth 20’000 euro dhënë për ekspozitën e një miti botëror si Salvador Dali… llogarisni pra fondet minimale 2 projekteve të tjera) dhe vetëm 2 projekte në Ministrinë e Turizmit (10’431 euro brut total për të dy projektet bashkë).
