Kompania celulare “One Albania”, e denoncuar sistematikisht nga Newsbomb.al për shkak të shërbimit skandaloz në raport me qytetarët, gjobit nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare me 100 milionë lekë të vjetra gjobë.
Grupi i inspektimit ka arritur të provojë se “One Albania” u ka bllokuar qytetarëve mundësinë që të ndërrojnë operatorin telefonik (bartja e numrit), si dhe i ka lënë pa shërbim për shkak të sistemit që ka implementuar.
“Sipërmarrësi i komunikimeve elektronike “One Albania” sh.a., të analizojë dhe t’í japë zgjidhje shkaqeve teknike dhe mungesës së koordinimit të cilat kanë çuar në shkelje të afateve maksimale të lejuara për portimin e numrit. Sipërmarrësi “One Albania” sh.a., duhet të rishikojë dhe riparojë të gjitha problemet teknike të evidentuara në arkitekturën e moduleve të sistemit B/00S me qëllim eliminimin e pikave të dështimit si dhe përmirësimin e sistemit brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja dijeni e këtij Vendimi përfundimtar inspektimi”, thuhet ndër të tjera në pjesën urdhëruese të vendimeve të AKEP. Grupi i Inspektimit ka zhvilluar një audit të mëparshëm në kompaninë celulare në fjalë, por pas shqetësimeve të mëdha gjatë periudhës së verës, ëhstë urdhëruar një auditim i dytë dhe janë konstatuar ankesa të shumta nga abonentët që lidhen me procesin e portabilitetit, tarifimit dhe cilësisë së shërbimit. Në këto kushte, i ëhstë propozuar Këshillit Drejtues të AKEP që “sipërmarrësi “One Albania” sh.a., të dënohet sipas pikës 18, paragrafi III, të nenit 137 të ligjit 9918/2008 me masën administrative “Gjobë” në vlerën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.”
Vendimi është pranuar dhe sot kompania celulare në fjalë rezulton e gjobitur në masën e 100 milionë lekëve të vjetra. Gjithashtu, Grupi i Inspektimit ka vendosur dënimet administrative plotësuese të mëposhtme: Sipërmarrësi i komokunikimeve elektronike “One Albania” sh.a., të respektojë detyrimet ligjore dhe kontraktore lidhur me kufizimet e shërbimeve dhe njoftimin e pajtimtarit përpara zgjidhjen e kontratës.
Sipërmarrësi i komunikimeve elektronike “One Albania” sh.a., të respektojë detyrimet ligjore lidhur me publikimin e informacionit transparent, të krahasueshëm, të përshtatshëm dhe të përditësuar për çdo detyrim në përfundimin e kontratës, si dhe kushtet e përgjithshme për aksesin e përdorimin e shërbimeve të ofruara për përdoruesit fundorë. Ky informacion të publikohet në mënyrë të qartë, gjithëpërfshirëse dhe lehtësisht të aksesueshme.
Sipërmarrësi i komunikimeve elektronike “One Albania” sh.a., të respektojë detyrimet ligjore lidhur me njoftimet e pajtimtarit dhe AKEP për kufizimin ose ndalimin e aksesit në shërbimet e tyre, sipas pikës 2, të nenit 108, të ligjit 9918/2008.
Sipërmarrësi i komunikimeve elektronike “One Albania” sh.a., të analizojë dhe t’í japë zgjidhje shkaqeve teknike dhe mungesës se koordinimit të cilat kanë çuar në shkelje të afateve maksimale të lejuara për portimin e numrit.
Sipërmarrësi “One Albania” sh.a., duhet të rishikojë dhe riparojë të gjitha problemet teknike të evidentuara në arkitekturën e moduleve të sistemit B/00S me qëllim eliminimin e pikave të dështimit si dhe përmirësimin e sistemit brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga vendimi përfundimtar i inspektimit.
Sipërmarrësi “One Albania” sh.a., rekomandohet që gjatë kësaj periudhe 60 (gjashtëdhjetë) ditore të kryejë kontrolle periodike të brendshme si dhe të njoftojë AKEP për rastet e refuzimeve të evidentuara dhe korrigjuara prej tyre.
Sipërmarrësi “One Albania” sh.a., të dorëzoje në AKEP raportime periodike javore, duke analizuar situatën dhe progresin e arritur me qëllim zbatimin e detyrave për korrigjimin e shkeljeve të evidentuara.