Moti i keq në portin e Durrësit ka shkaktuar një përplasje mes tragetit ‘Ventouris’ me anijen cargo ‘Professor B’ mesnatën e kaluar. Trageti i cili ishte nisur drejt Barit të Italisë mbante me vete 173 pasagjerë, 34 makina dhe 20 kamionë.
Ngjarja ndodhi pak para mesnatës te bankina tregtare në Portin e Durrësit. Nga ngjarja nuk rezultojnë të lënduar ndërkohë për të drejtuar tragetin u deshën 2 rimorkiatorë në mënyrë që të kthehej në drejtimin normal. Pas rënies së rrezikut dhe kthimit në gjendje normale të tragetit, 2 rimorkatorët e kanë shoqëruar tragetin ‘Ventouris’ drejt bankinës tregtare. Udhëtimin me destinacion Barin u nis me disa ora vonese.
Pasditen e sotme ka qenë zv. ministri i Instrastrukturës dhe Energjetikës, Ardi Veliu i cili ka konfirmuar incidentin. Ai tha se është bërë një analizë që ngjarje të tilla të mos ndodhin më.
“Mbrëmë gjatë natës ka ndodhur një incident në akuariumin e Portit të Durrësit. Me porosi të veçantë të zonjës ministre sot së bashku me drejtorin e portit dhe me drejtorin e përgjithshëm të detarisë kemi zhvilluar një analizë në lidhje me këtë incident. Ka pasur një avari të vogël gjatë daljes nga akuariumi të 2 trageteve. Ka pasur vetëm dëme të vogla materiale. Bëmë një analizë për të evidentuar se çfarë nuk ka funksionuar mirë apo për të identifikuar problematika të cilat mund të kenë ndodhur gjatë kësaj manovra me qëllim eliminimin për ta bërë Portin e Durrësit sa më të sigurt.
Gjatë manovrës që ka bërë trageti për të dalë nga akuariumi, duke parë edhe kushtet atmosferike që kanë qenë shumë të këqija, forca e detit ka qenë mbi 6 ballë brenda në akuarium dhe më shumë se 7 ballë jashtë. Kjo ka qenë faktor që e ka bërë të vështirë veprimin e duhur të kapitenit për të shmangur incidentin”, ka thënë Veliu.
/Priza.al/