Një aksident rrugor ka ndodhur në autostradën Levan-Tepelenë, ku për pasojë kanë mbetur të plagosur 8 persona.
Uniformat blu bëjnë me dije se aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Malas, si dhe mes të plagosurve janë dhe dy fëmijë të moshës 2 e 3-vjeç.
Pranë vendit të ngjarjes kanë mbërritur efektivë të repartit zjarrfikës të cilët ndihmuan të lënduarit të dalin nga automjetet, ku janë nisur me urgjencë drejt spitalit të Fierit.
Njoftimi i policisë:
Sot, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Tepelenë-Mallakastër, në fshatin Malas, shtetasi E. Gj., 36 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Benz” është përplasur me automjetin tip “Renault” me drejtues shtetasin D. L., 32 vjeç. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar dy drejtuesit e automjeteve dhe gjashtë pasagjerët, A. Gj., 25 vjeçe, A. Gj., 23 vjeçe, dy fëmijë të mitur 2 vjeç dhe 3 vjeç(pasagjerët e automjetit tip “Benz”); K. M., 30 vjeçe, C. R., 31 vjeç, (pasagjerët e automjetit tip “Renault”), të cilët ndodhen në spitalin e Fierit nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.