Gjykata e Vlorës ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Igli Madanin. 22-vjeçari është drejtues i mjetit tip ‘Audi’, që shkaktoi aksidentin tragjik në aksin Fier-Vlorë ku humbën jetën 4 persona.
Ai nuk ishte i pranishëm në dhënien e masës së sigurisë, ndërsa u paraqit avokati i tij me prokurë, Remzi Mehmetaj. Igli Madani ndodhet në spitalin e traumës në Tiranë, pasi ka dëmtime në shtyllën kurrizore, qafë dhe në trup.
Avokati i Madanit ka kërkuar një masë më të lehtë, duke e lidhur gjithçka me gjendjen e renduar psikologjike të të riut pas aksidentit të rëndë. Ngjarja tragjike ndodhi mëngjesin e 25 qershorit, në zonën e njohur si ‘Zona e Kripës’ rreth orës 08:23.
Mjeti tip ‘Audi’ përplasi makinën e llojit ‘Toyota’ dhe shkaktoi kështu vdekjen e katër anëtarëve të një familjeje. Më pas ‘Audi’ u përplas me shtyllën elektrike dhe përfundoi në kanal, ku mbetën të plagosur 3 personat që ishin brenda mjetit.