Detaje të rënda kanë dalë nga autobusi i vdekjes në Bullgari që u mori jetën 46 personave, shumica prej tyre shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.
Mediat në Bullgari kanë zbuluar të dhëna nga grupi hetimor në vendin e ngjarjes, ku ka rezultuar se në autobus ka pasur vetëm një çekiç për të thyer xhamat në raste emergjente. Çdo autobus duhet të ketë të paktën 4 çekiç për thyerjen e xhamave për raste të emergjencave të ndryshme.
Pikërisht çekiçin e vetëm për thyerjen e xhamave e ka përdorur një nga të mbijetuarit, Lulzim Sulejmani i cili goditi xhamin e pasmë dhe mundi të dilte jashtë sëbashku me disa persona të tjerë.
Edhe pse ka kaluar disa kohë nga aksidenti ende nuk kanë zbuluar shkaqet e vërteta të tij, dhe nuk dihet nëse para ka shpërthyer zjarri që u mori jetën 46 personave apo ka ndodhur fillimisht aksidenti.
Gjithashtu, doganierët nuk e kanë regjistruar autobusin e djegur të “Besa Trans” kur ai ka kaluar kufirin, por kanë regjistruar vetëm pasagjerët që ndodheshin në të. Kjo është konstatuar nga kontrolli i brendshëm i Drejtorisë së Doganore. Institucioni përkatës njofton se dy punonjësit që ishin në detyrë atë ditë do të pezullohen nga puna, ndërsa shefi i tyre do të gjobitet.
“Për automjetin me targa SK 0284 BA të transportuesit BESA Trans nga Shkupi, në periudhën prej datës 15.10.2020 deri më 11.11.2021 Drejtoria doganore ka regjistruar disa vendkalime nëpër vendkalimet kufitare: GCI Deve Bair, GCI Blace, GCI. Kafasa GCI Dellçevo, për lloje të ndryshme të transportit, përfshirë evidencën e numrit të Ekstraktit nga Licenca për kryerjen e transportit publik në komunikacionin rrugor ndërkombëtar – transport pa pagesë të udhëtarëve. Autenticiteti i këtyre dokumenteve të bashkangjitura do të kontrollohet shtesë nga transportuesi”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Doganore.
Versioni kryesor ku po hetohet është ajo e një sasie të madhe karburanti që dyshohet se u ndez në flakë. Deri tani, mendohet se nafta shtesë po transportohej me qëllime përfitimi, pasi ishte blerë në Turqi me çmim me të lirë me një diferencë rreth 50 Lekë për një litër.
Pas autopsisë u bë e qartë se nga përplasja nuk kishte viktima. Në fyt dhe në traken e viktimave është gjetur blozë, që do të thotë se ata kanë marrë frymë kur ka rënë zjarri.
Përveç 7 personave që mundën të arratisen përmes dritareve të tjerët gjetën vdekjen në autobusin e ferrit.
/Priza.al/