Inspektori i stacionit hekurudhor në Larisa dhe dy punonjës të tjerë, janë proceduar penalisht për shkak të ngjarjes së rëndë të ndodhur në Greqi, ku nga aksidenti i dy trenave humbën jetën 57 qytetarë, raportojnë mediat greke.
Ata akuzohen nga autoritetet greke për prishje të sigurisë së transportit.
Konkretisht, u ngritën ndjekje penale ndaj inspektorit të OSE-së, i cili vendosi në turnin e natës drejtuesin e stacionit tashmë të burgosur, si dhe ndaj dy punonjësve që supozohej të ishin të pranishëm deri në orën 11 të natës dhe u larguan më herët duke braktisur detyrën.
Veprat për të cilat ata akuzohen mund të marrin dënime nga dhjetë vjet deri në burgim të përjetshëm.
Ndërkohë nesër është caktuar seanca e Apelit të Larisës, për të zgjedhur dy hetuesit që do të marrin në dorë tani hetimet për tragjedinë në Tempi.