Dy drejtuesit e automjeteve që u aksidentuan një ditë më parë në Bërxullë duke i marrë jetën një të mituri që po qëndronte në ambientet e jashtme të një lokali, janë vënë në prangat e policisë.
Naim Allmeta ishte shoferi i cili në momentin e aksidentit ishte në gjendje të dehur, ndërsa shoferi tjetër që u arrestua ishte Erjon Hajdini.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Njoftimi i policisë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme në lidhje me aksidentin e ndodhur në Bërxullë, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasit N. A., 63 vjeç, banues në Kodër Kamzë, dhe E. H., 30 vjeç, banues në Paskuqan.
Shtetasi N. A., duke drejtuar automjetin tip “Toyota”, në gjendje të dehur, është përplasur me automjetin tip “Dacia”, me drejtues shtetasin E. H. Nga përplasja automjeti tip “Toyota” ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin e një lokali duke aksidentuar një shtetas të mitur 9-vjeçar. I mituri nga dëmtimet e marra ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.