Aksidentoi para dy ditësh një 33-vjeçar dhe u largua nga vendi i ngjarjes, arrestohet polici i dehur

Një punonjës policie është arrestuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Ai akuzohet se mbrëmjen e së hënës aksidentoi me makinë një 33-vjeçar i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

Pas aksidentit, punonjësi i policisë u largua nga vendngjarja, por u arrestua më vonë. Nga verifikimet rezultoi se ka qenë në gjendje të dehur në momentin që përplasi me makinë 33-vjeçarin.

Njoftimi i policisë

Drejtoria Rajonale e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Durrës-Kavajë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, referoi materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, në ngarkim të punonjësit të policisë, i arrestuar në flagrancë, Inspektor P. P., 52 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Durrës, për veprat penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”; “Drejtim i mjetit motorik në mënyrë të pa rregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit“.

Sipas burimeve zyrtare, arrestimi në flagrancë i punonjësit të policisë Inspektor P.P. u krye pasi më datë 06.06.2021, rreth orës 22:30, në lagjen nr. 18, rruga “Sulejman Pitarka”, duke drejtuar mjetin ka aksidentuar rëndë një shtetas 33-vjeçar, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore nën kujdesin e mjekëve.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se punonjësi i policisë P. P. ka qenë nën efektin e pijeve alkolike dhe pasi ka kryer aksidentin është larguar nga vendngjarja.

SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *