Aksioni në Vlorë, policia: Në kërkim 3 autorët e lëndës narkotike, në pranga 2 të tjerë

Pas aksionit që u zhvillua ditën e djeshme, sot policia në Vlorë ka dalë me një njoftim për mediat. Bëhet e ditur se janë shpallur në kërkim tre persona të cilët janë identifikuar si Fatbardh Kapllanaj, Engjëllush Kapllanaj dhe Klajdi Kapllanaj. Gjithashtu mësohet se janë arrestuar dy persona që nuk përmbushën detyrën. Kryeplaku i fshatit Kaninë Andon Todi, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” dhe Gramos Islamaj, punonjës i OSHEE-së, për “Shpërdorim i detyrës” kanë përfunduar në pranga.

NJOFTIMI I POLICISË;

Vijon kontrolli masiv i territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Çairet”. Shpallen në kërkim tre autorët e dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike.Vihen në pranga kryeplaku i fshatit Kaninë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” dhe një punonjës i OSHEE-së, për veprën “Shpërdorimi i detyrës”. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 262 kilogram lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Seksioni për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Çairet”.Si rezultat i operacionit u bë shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike, shtetasve F. K., 45 vjeç, E. K., 22 vjeç dhe K. K., 20 vjeç, banues të tre në fshatin Kaninë. Vijon puna intensive për kapjen e tyre. Shpallja në kërkim e këtyre shtetasve u bë pasi , në vendin e quajtur “Çairet”, në fshatin Kaninë, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e shtetasit F. K., u gjet dhe u sekuestrua 210 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient pranë banesës së këtij shtetasi, e përshtatur si serë, me lidhje të jashtëligjshme të energjisë elektrike, Policia gjeti fidanë narkotikë të kultivuar në serë dhe në kubikë, si dhe një sasi prej 52 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, në proçes tharje.Në vijim të veprimeve hetimore u arrestuan në flagrancë shtetasit, A. T., 61 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Kaninë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” dhe G. I., 51 vjeç, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Të dy këta shtetas, në kundërshtim me ligjin nuk kanë përmbushur detyrën.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Kultivim i bimëve narkotike”, “Vjedhje e energjisë elektrike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *