Aktivistja Greta Thunberg u lirua të martën, më 17 janar, pas një ndalimi të shkurtër gjatë protestave kundër minierave në Gjermani, tha policia gjermane, shkruan Reuters.
Të martën, aktivistja suedeze e klimës Greta Thunberg u arrestua nga policia në një protestë kundër një miniere qymyri në fshatin Luetzerath, në Gjermaninë perëndimore.
Thunberg ka protestuar që nga fundjava e kaluar me aktivistë të cilët kërkojnë që të ndalet prishja e fshatit të braktisur të Lützerath për të zgjeruar minierën.
Policia tha më parë për BBC se Thunberg nuk ishte arrestuar dhe se ajo do të lirohej pasi të kontrollonte kartën e saj të identitetit.
Gjithashtu u tha se të gjithë të arrestuarit në grupin ku ndodhej Thunberg do të lirohen pas kontrollit të identitetit.
Policia konfirmoi më parë për Reuters se Thunberg ishte pjesë e një grupi që “u vërsul drejt skajit” të minierës Garzweiler.
Video nga vendi i ngjarjes tregonte oficerët e policisë që largonin Greta Thunberg nga protesta.
Fshati që ndodhet midis Dyseldorfit dhe Këlnit do të zhduket për të lejuar zgjerimin e një miniere të madhe të linjitit me gropë të hapur, një nga më të mëdhatë në Evropë, që operohet nga kompania gjermane e energjisë RWE.
Vitin e kaluar, kompania arriti një marrëveshje me qeverinë rajonale që lejon që fshati të shkatërrohet dhe angazhohet të ndalojë përdorimin e qymyrit deri në vitin 2030, në vend të 2038 siç ishte planifikuar më parë.
Aktivistët e mjedisit kanë qenë në vend për më shumë se dy vjet për të parandaluar zgjerimin e minierës.
Qeveria gjermane beson se është e nevojshme zgjerimi i minierës për shkak të sigurisë energjetike të Gjermanisë, e cila duhet të kompensojë ndërprerjen e dërgesave të gazit nga Rusia.
Ambientalistët pretendojnë se goditja me buldozë e fshatit për të zgjeruar minierën do të rezultonte në sasi të mëdha të emetimeve të gazrave serrë.
Ata besojnë se marrëveshja për të zgjeruar minierën e madhe të hapur bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Gjermanisë për të reduktuar emetimet e gazeve serrë që ngrohin planetin.
Ata citojnë studime që sugjerojnë se qymyri nën Luetzerath mund të mos jetë kurrë i nevojshëm.