Dy yjet e filmit “Romeo and Juliet” të vitit 1968 po padisin Paramount Pictures dhe kërkojnë mbi 500 milionë dollarë për një skenë nudo në filmin e xhiruar kur ata ishin adoleshentë.
Olivia Hussey, atëherë 15 dhe tani 71 vjeç, dhe Leonard Whiting, asokohe 16, tani 72 vjeç, ngritën padi në Gjykatën e Lartë të Los Angeles duke pretenduar abuzim seksual, ngacmim seksual dhe mashtrim.
Regjisori italian Franco Zeffirelli, i cili ndërroi jetë në vitin 2019, i tha çiftit se do të vishnin të brendshme në ngjyrë mishi në skenën e dhomës së gjumit, pretendojnë ata. Sipas padisë, kur do të xhironin, Zeffirelli i tha Whiting-ut, i cili luante rolin e Romeos dhe Hussey-t, e cila luante rolin e Juliet-ës, se do të xhironin vetëm me grim për trupin, ndërkohë që i siguroi se kamera do të pozicionohej në një mënyrë që të mos tregonte lakuriqësi.
Megjithatë, ata u filmuan nudo pa dijeninë e tyre, në kundërshtim me ligjet e Kalifornisë për sjelljet e pahijshme dhe shfrytëzimin e fëmijëve, thuhet në padi.
Zeffirelli u tha atyre se duhet të aktronin nudo “përndryshe nuk do të dukej mirë në kamera” dhe karriera e tyre do të dëmtohej, thuhet në padi. Aktorët “besonin se nuk kishin zgjidhje tjetër.
Të pasmet e zhveshura të Whiting dhe gjoksi i Hussey shfaqen shkurtimisht gjatë skenës. Deklarata gjyqësore thotë se aktorët kanë pësuar dëmtime emocionale dhe ankth për dekada me radhë dhe se secili ka pasur karriera që nuk janë në të njëjtin nivel me suksesin e filmit.
Padia thotë se duke pasur parasysh vuajtjet dhe të ardhurat e sjella nga filmi që nga publikimi i tij, aktorët kanë të drejtë për dëmshpërblim prej më shumë se 500 milionë dollarë.