Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhet diskutimi i Enver Hoxhës i mbajtur në Plenumin e VII-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, ku ai morri në analizë dhe foli për problemet që kishin dalë në sektorin e naftës, ku ai për herë të parë kritikoi dhe hodhi akuza të rënda, jo vetëm ndaj drejtuesve të atij sektori, duke filluar nga drejtori i përgjithshëm i Naftës, Lipe Nashi, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Fierit, (ku ishte përqendruar pjesa më e madhe e industrisë së naftës), Piro Gusho, inxhinierëve dhe specialistëve si: Andrea Manço, Zenel Hamiti, Koço Plaku, Protoko Murati, Beqir Aliaj, Milto Gjikopulli, et., por edhe ndaj kryeministrit Mehmet Shehu, anëtarëve të Byrosë Politike e ministrave, si Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati etj. Fjala e plotë e diktatorit Enver Hoxha dhe akuzat e panjohura që ai bëri ndaj Abdyl këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, Vasil Katit, Dashnor Mamaqit, Ramadan Xhangollit etj, të cilët i quajti sabotatorë që kishin bërë punë armiqësore, duke i krahasuar ata me “veprimtarinë armiqësore” që kishte bërë Beqir Balluku me Petrit Dumen, Hito Çakon etj. Propozimet e Enver Hoxhës për shkarkimin e tyre nga të gjitha postet dhe funksionet partiake dhe shtetërore që ata kishin mbajtur deri në atë kohë dhe zgjedhjen dhe emërimin e “disa shokëve të rinjë” në vend të tyre në Byronë Politike dhe Komitetin Qendror të PPSh-së, siç ishin: Pali Miska, Hekuran Isai, Qirjako Mihali etj., biografitë e të cilëve, Enveri i bërë publike në atë plenum!
29 maj 1975
Këtë e pohojnë vetë Abdyli dhe Koçoja, natyrisht, jo në këtë formë, siç e them unë, por aty jemi, se me gojë në “diskure” jemi “në krye të buxhakut”. “Ngopuni me formula e slogane”, por “ne bëjmë si na thonë Andrea Mançoja, Lipe Nashi, Beqir Amerika ose ndonjë tjetër”. “Na nxorët një nomenklaturë të tretë ose të katërt”, tha Kiço Ngjela, kur e penguan Andrea Mançon të shkonte në Perëndim, pse dyshohej. Ç’do të thotë ky besim i verbër te disa njerëz, sa edhe kur kërkojnë t’u hapin sytë, hezitojnë t’i hapin? Ju, shokë të Komisionit të Planit të Shtetit, vetë pohoni “Nuk kemi ndjekur si duhet as procesin e planifikimit dhe as zbatimin e tij”. E dini ç’do të thotë kjo? Të punosh për të sabotuar planin. Komiteti Qendror ka të drejtë dhe detyrë të të kërkojë llogari ty, Abdyl Këllezi, që të ka vënë në krye të Komisionit të Planit të Shtetit, përse nuk është kryer si duhet kjo detyrë. Mos ke dashur të sabotosh ekonominë? Harrove ti forcën e Partisë dhe të popullit, që nuk të lënë të veprosh si ta ka qejfi? Kurdoherë, kur kemi kërkuar llogari për këto mosrealizime, na është thënë që “fajin e kanë baza dhe ministritë”. Ato, sigurisht, kanë faje dhe nuk dua t’i shfajësoj, por një autokritikë nuk kam dëgjuar nga ti, Abdyl Këllezi, nuk kam dëgjuar as për Komisionin e Planit të Shtetit. Vetëm vetëlavdërime!
Ju po i kaloni në histori si: “organizma që çdo gjë e kanë parë drejt, në vijën e Partisë, e kanë peshuar si duhet”. Por këto që na dalin, për të cilat Komisioni i Planit të Shtetit dhe ti personalisht, Abdyl, keni përgjegjësi të rëndë, ç’do t’i quajmë, gabime apo punë për t’u lavdëruar? Por, pa e vënë dorën në zjarr, unë mendoj se do të zbulojmë gabime të tjera të rënda, si në investime, në financë dhe sidomos në frymën e sëmurë që është lejuar nga ju, duke marrë pozat e “mos lejuesve”. Ti, Abdyl Këllezi, ke pohuar: “Kam parë që fondi i pagave po rritej në përpjesëtime jo të drejta”. Atëherë pse nuk i vure në korent Qeverinë dhe Byronë Politike, ku më parë të bëje autokritikë vetë? Pse nuk e bëre problem të Byrosë Politike që nuk duhej hequr kontrolli i bankës? Pastaj kur ky kontroll u vu prapë kudo, përse u përjashtua sektori i naftës? Ishte vallë ky një operacion thjesht teknik, që ti thoshe se ishe kundër heqjes? Unë nuk e besoj këtë, pse ty, Abdyl Këllezi, s’të shkoi në mendje ana politike, ideologjike dhe financiare e problemit, se në këto anë do të shkaktoheshin dëme, siç u shkaktuan. Ti mund të më thuash se, vendimet i mori Qeveria, dhe unë nuk kam ndër mend t’ia heq asaj këtë përgjegjësi, por ti je përgjegjësi kryesor, frymëzuesi, se hiqeshe si “Papa” i ekonomisë dhe i financës. Kështu je hequr kurdoherë.
Ti thua vetë se ke bërë një sërë zigzagesh në këtë çështje të rëndësishme dhe nuk ndërhyre. Vetë pohon që “deri tash kam menduar pse nuk ndërhyra dhe s’e gjej dot arsyen”. Përpiqu me kurajë, se do ta gjesh psenë! Abdyl, ti mburreshe shumë dhe pa vend, kurse Partia na mëson të jemi të thjeshtë, por duhet të pohoj, se unë nuk i kam ngrënë mburrjet e tua. Kam konkluduar për ty, se përvetësoje mendimet e të tjerëve, të specialistëve e të punëtorëve, dhe këtë e bëje për t’u dukur para meje, duke menduar se çka më thoshe, unë e haja dhe e dëgjoja për herë të parë. Të kam bërë shumë herë aluzione dhe kritika që ta braktisje këtë metodë, por ti ke vazhduar dhe vazhdon si më parë, duke na u hequr si shumë i zoti dhe kompetent, bile edhe në këtë Plenum, nxitoheshe të jepje përgjigje zjarr për zjarr, pa pritur të mbaronin pyetjet që të bëheshin. Vetë pohon se për këto që janë zbuluar, ke përgjegjësi, se ato të kanë shpëtuar nga kontrolli, gjë që nuk është e vërtetë, pse kanë qenë bindje për ty, kurse investimet, ndërtimet, kontrollin e bankës, i ke pasë nën kontroll. Mirëpo sikur shpejtohesh ca edhe në këtë pohim. Ti, Abdyl, pohove se, kur i bën vetes pyetjen “Pse na ngjanë këto gjëra”?, të duket se burimi i kësaj është “mungesa e ekuilibrit”, ose më mirë të themi “ngurrimi”.
Përpiqesh më kot të japësh ndonjë shpjegim teknik, por të humbasësh ekuilibrin ose të ngurrosh, është çështje me një domethënie politike dhe ideologjike të rëndësishme. Jo vetëm fjalët në vetvete, por çdo gjë, çdo punë, çdo ndodhi, thotë Lenini, ka vulën e vijës së partisë, ka politikën e partisë. Vula e Partisë nuk duket në ato që na thua ti, as në veprimet e tua për kompetencat dhe për të gjitha gabimet e tjera që ke bërë. Atëherë, mund të na e shpjegosh më qartë, nga ana ideologjike flas, këtë dizekuilibër dhe ngurrim tek ti në vijë? Ti nuk more mundimin t’i shpjegoje ato, por t’i fshihje, t’i maskoje. Ti e pe se Komiteti Qendror i Partisë është i kalitur e në krye të detyrës dhe t’i demaskoi qëllimet e liga. Ti thua se jeni ndeshur “rreptë” me Koço Theodhosin “për probleme të karakterit serioz”! Mirëpo ky afirmim i akshamit rrëzohet vetvetiu, sepse ti, si anëtar i Byrosë Politike, nuk i ke shtruar ndonjëherë në Byro këto gjëra. Por as këtu s’na i vutë në dukje këto, as ti, Abdyl, as ti, Koço. Ju këtu e mbrojtët shoku-shokun. Pse vallë? Vetë ky lloj solidariteti është komprometues. Abdyl, po më çudit dhe më vjen keq që çështjes së naftës po i rrëshqet në mënyrë tangente. Nuk duhet të veprosh kështu, se s’të lejon Komiteti Qendror ta trajtosh në këtë mënyrë çështjen.
Ti mund ta rëndosh Koço Theodhosin, se ai është ministër, siç bënë Petrit Dumja dhe Hito Çakoja për Beqir Ballukun, por ti e pe se si e zbuloi Komiteti Qendror veprimtarinë armiqësore dhe tradhtare të Beqir Ballukut me shokë. Ashtu edhe për ty, Komiteti Qendror s’të ndan nga përgjegjësia e njëllojtë me Koçon, në mos më shumë. Ti drejton Komisionin e Planit të Shtetit dhe duhet ta dish që, në rast se ne nuk kemi naftë, plani ynë ekonomik, si ai aktual dhe ai perspektiv, nuk mund të ecë. Me se do të lëvizë gjithë kjo industri që kemi? Me se do të lëvizin tërë këto makineri? Po armët e ushtrisë, si do të vihen në veprim? Me se do të punojnë TEC-et tona, kur edhe ato që punonin me qymyr, ke qenë ti, në mos gabohem, një nga ata që je përpjekur të vihen në punë me naftë? Po TEC-eve të ardhshme, po industrisë së petro-kimisë, për të cilën ti na bëje premtime të mëdha, si do t’u vejë halli? Mos të kemi çuar në atë dikaster që të ne bësh plane në erë? Në këto situata të vështira që kalon ekonomia e vendit tonë, ti, si kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, mund të thuash tash se nuk ke përgjegjësi, dhe s’është fjala për përgjegjësi teknike, por politiko-ideologjike? Ti na je hequr planoviku i planeve “perspektive të mëdha”, po pse u habite kur të tha Adil Çarçani se “shoku Enver dëshiron që të kemi një plan perspektiv 30-vjeçar për naftën”?! Unë s’di se si i’a kam thënë këtë shokut Adil, por them jo për 30 vjet, por, po të jetë e mundur, ta kemi një plan të tillë edhe për 100 vjet.
Ti s’qenke interesuar si duhet për fushat ekzistuese dhe tash tërhiqesh si ngjalë nga një terren i rrezikshëm. Si, të mos interesohem unë për të ardhmen e naftës? Ti ke pohuar që “të interesohemi për gjendjen aktuale”. Pikërisht edhe unë për këtë po interesohem tash e vazhdimisht dhe jam interesuar aq shumë, sa nuk më zë gjumi. Atëherë na thuaj ti, Abdyl, që “interesohesh për gjendjen aktuale”, pse na sabotuan në naftë? Ti duhej të ishe interesuar për këtë “dhe je interesuar”, siç thua edhe vetë. Atëherë pse ndodhi ky sabotim? Ti bën sikur ke haprur unitetin e mendimeve të tua me të Tuk Jakovës, këtij agjenti titist, por Partisë i kujtohen. Ti e di se Tuk Jakova ishte kundër nxjerrjes së naftës, por, pas kaq vjetësh, ti, Abdyl, na del në sabotimin e naftës. Kjo është e çuditshme! A nuk të duket ty, Abdyl, e çuditshme kjo ngjashmëri? Ti thua “jam ndeshur rreptë me Koçon”, e theksoj “rreptë”, “për probleme serioze”. Mund të na thuash përse kanë qenë këto diskutime “të rrepta”? Këto ne duhet t’i dimë, se ti s’na the gjë. Vetë pohon se shihje që “Ministria e Industrisë dhe e Minierave kishte humbur kontrollin nga nafta”. Po ti ç’bëre për këtë konstatim të. rëndësishëm? Bisedove ndonjëherë me Koçon “rreptësisht”? Dhe ç’doli? Asgjë! Ç’bëre më vonë? Pse s’e ngrite këtë çështje në Byronë Politike apo në Qeveri, ku të thoshte se “nafta na ka ikur nga duart”, përse na ka ikur dhe të merreshin masa urgjente? Ti përgjigjesh: “Kam gabuar”!
Mirëpo nga anëtari i Byrosë Politike dhe kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit, që e di mirë se pa naftë ngel në vend tërë ekonomia sot dhe mot, një përgjigje e tillë nuk është e mjaftueshme. Mirë Koço Theodhosi, kishte vendosur të bënte një punë sabotuese, një gjumë të rëndë dhe shumë të rrezikshëm për ekonominë tonë, por ti që e shihje këtë gjendje, pse nuk dhe alarmin? Ti pranon se nuk të vajti ndër mend që në industrinë e naftës “po bëhej një punë armiqësore”, po ç’emër i kishe vënë asaj pune të qartë për ty, kur thua: “Na gënjenin çdo vit dhe çdo vit s’na jepnin naftë, sot na jepnin sihariqe, kurse të nesërmen na thoshin të kundërtën”. Dhe ti, me të marrë këto “sihariqe”, i futje në plan përnjëherë qindra mijë tonë. Ti me Koçon ishit më të zellshmit, kur këtë defiçit (të ashtuquajtur defiçit, pse kjo sasi as që kishte ekzistuar kurrë, veçse në planin tuaj), jua shpërndanit fushave ekzistuese, puset e të cilave u përmbytën me ujë: Lipe Nashi, pavarësisht se është armik e tradhtar; ju akuzon se ju e keni detyruar t’i sforcojë puset, se ai ka qenë kundër kësaj dhe thotë se “u kam shkruar edhe letra Koços e Abdylit, kam pasur kundërshtime zyrtare me ta”. Ne e kemi thënë mendimin tonë për fajet dhe përgjegjësitë e Koço Theodhosit. Unë këtu nuk po zgjatem, sepse kam folur në mbledhjen e Byrosë Politike e të gjithë ju, shokë, jeni njohur me këto materiale. Kurse ti, Abdyl, veproje drejtpërdrejt në sabotim me specialistët, ti kishe, përveç kësaj, planin si një armë kontrolluese që të jepte të dhëna dhe të lejonte që, kur gjendja nuk ecte përpara, të veje në naftë aq shpesh, saqë t’u hyje më thellë këtyre problemeve.
Po këtë s’e bëre. Kishe arsye që s’e bërë këtë, sepse ishte plani sabotues, ishte puna armiqësore që të ndalonin. Bashkëpunimin tënd me Koçon, nuk duhet ta zvogëlosh. Mos e bëj si Petrit Dumja me Hito Çakon ndaj Beqir Ballukut, pse Koçoja ka gabuar, por për mua, me aq sa mund të kem konstatuar, Koçoja këshillohej vazhdimisht me ty, ai s’bënte gjë pa të pyetur, pse e ndiente nevojën tënde. Ti ishe udhëheqësi i tij në punën armiqësore sabotuese. Koçoja dukej sikur kishte gjykime të pjekura dhe precize për problemet, ai është shumë metikuloz dhe budalla s’është, por faktet tregojnë se nuk ishte aq i hedhur dhe aq bombastik sa ti. Koka kryesore, pa ia hequr përgjegjësinë Koços, ishe ti. Edhe mendimet e tua, gjoja më të specializuara, Koçon nuk e ndihmuan për të mirë, por për të keqen e Partisë. Unë mendoj se Koçoja ishte i predispozuar për një punë antiparti, armiqësore, pse nuk e honepste vijën e Partisë, prandaj ju u bashkuat, gjetët shoku-shokun dhe u futët thellë në punën armiqësore. Unë hëpërhë nuk do të zgjatem më tutje për këto probleme të mëdha, pse, siç e dimë, janë duke u zhvilluar kudo kontrolle punëtore dhe të Partisë mbi gjërat, mbi organizmat dhe mbi njerëzit. Këto studime dhe kontrolle nga baza do të na zbulojnë gjëra të mira dhe të këqija, prej tyre do të fitojmë një eksperiencë të madhe politiko-ideologjike dhe do të na bëjnë të korrigjojmë shtrembërimet e vijës, t’i ndreqim gabimet atje ku janë vërtetuar, të shërojmë të sëmurët dhe të shtypim armiqtë. Komitetit Qendror dhe Qeverisë, do t’u vijnë të dhëna të sakta, të mbështetura drejt në analiza të thella, mbi të cilat duhet të gjykojmë. Deri tash, për këto fushata, Komiteti Qendror dhe Qeveria janë kënaqur nga mendimet dhe nga konkluzionet që tërhiqnin zyrtarët, tek të cilët duhet të kemi besim, por edhe t’i kontrollojmë.
Këtë herë, më duket mua, u duhen shtuar këtyre edhe raportet e drejtpërdrejta të kontrollit punëtor, por të një kontrolli punëtor pa “kontroll nga ana e zyrtarëve”. Kemi shumë nevojë për zërin e klasës, për mendimin e klasës, kemi nevojë të na gjykojë ajo dhe jo të kënaqemi me vetë gjykimin tonë. Vetëgjykimi ynë ishtë disa herë subjektiv, gjykimi i punëve nga një sërë njerëzish të zyrave u vërtetua se ka pasur brenda edhe koncepte jo të drejta. Të gjitha këto gabime, shtrembërime dhe abuzime rëndonin mbi shtetin tonë, mbi klasën, mbi punonjësit. Ata që i pësuan këto, kanë të drejtë të flasin, të propozojnë dhe të vendosin ndaj atyre që kanë shkelur ligjet e shtetit dhe direktivat e Partisë. Është e domosdoshme që kjo gjë të bëhet dhe duhet të bëhet e vazhdueshme. Kontrolli i Partisë, i klasës dhe i masës, duhet të ushtrohet i rreptë në çdo gjë e mbi këdo. Partia, forumet, Qeveria dhe aparatet shtetërore dhe ekonomike s’duhet të lejojnë më që jo vetëm të dobësohet grushti i shtetit të proletarëve, por as të mbetet ky formal dhe i cunguar. Të bëhet zakon që jo vetëm të kritikohen dhe të ndreqen me shpejtësi gabimet, por edhe të dënohen fajtorët. Shtypi të flasë për fajtorët, dhe jo vetëm për të vegjlit, por të flasë edhe për të mëdhenjtë, kur gabojnë, kur e lejon situata e përgjithshme e jashtme, në mënyrë që të mos e shfrytëzojnë armiqtë, pse duhet thënë që për këta “të mëdhenj”, është krijuar një situatë e privilegjuar.
Por gojarisht populli duhet vënë në korent për ata që bëjnë faje. Ka sekretarë partie, ka anëtarë të Komitetit Qendror, ministra, zëvendësministra dhe të tjerë që bëjnë gabime, që s’punojnë mirë, që nuk e meritojnë besimin që u kanë dhënë Partia e shteti dhe jo vetëm nuk kritikohen si duhet, jo vetëm nuk shkarkohen, por edhe kur kritikohen dhe shkarkohen, nuk e merr vesh njeri pse u mor kjo masë, në vend që të vihet në dukje pse ngjet një gjë. Edhe tash, në këtë Plenum luftarak, ka shokë që u kritikuan rëndë dhe meritonin dënime më të rrepta. Por këta shokë të mos mendojnë se Komiteti Qendror dhe Byroja Politike u treguan liberalë ndaj tyre. Të mos mendojnë se e hodhën lumin edhe këtë herë. Komiteti Qendror e kupton shumë mirë arsyen dhe vepron në interes të Partisë e të vetë atyre shokëve që kanë gabuar dhe që shpresohet se mund të korrigjohen. Një iluzion është ai, që të mos flasim për ata që gabojnë, për të mos u “diskredituar” Partia dhe shteti që i kishin sjellë në ato pozita. Opinioni i merr vesh, edhe po të mos i’a thuash ndodhitë. Ai i gjykon njerëzit dhe udhëheqësit sa vlejnë nëpërmjet punës dhe qëndrimeve politike. Lufta e klasave i shpjegon këto ndodhi e këto veprime dhe ne të mos kërkojmë t’i mbulojmë, duke lënë të kuptohet se kuadrot e lartë nuk gabojnë, kur në realitet, ka disa që edhe gabojnë. Komiteti Qendror i sheh dhe i peshon vlerat e gjithsecilit nga ne dhe, kur e sheh të domosdoshme e të nevojshme për ata që gabojnë, i shkarkon nga përgjegjësitë.
Përpara ne kemi Kongresin e Partisë dhe atje do të na gjykojë Partia, jo vetëm se kemi bërë Luftën Nacionalçlirimtare, por si po e bëjmë edhe tash këtë luftë të madhe për ndërtimin e socializmit. Mbajtja fshehtë e dënimit të një njeriu që ndëshkohet i lejon atij që të spekulojë, të hiqet si viktimë e ambicies së njërit e të tjetrit, lejojmë kështu që me veprimet tona të krijohen pakënaqësi dhe mendime të gabuara. Ne duhet të japim herë pas here shembullin në shtyp për këto çështje. Partia e ka thënë kurdoherë: Askush të mos mendojë se e ka marrë me tapi detyrën që i është caktuar. Askush nga ne të mos mendojë se, meqenëse ka bërë luftën, nuk ka gabuar asnjëherë, prandaj s’ka pse lëviz nga vendi ose nga udhëheqja. Shokë të tillë duhen respektuar dhe nderuar nga Partia. Por të mos harrojmë, se duhet të vazhdojmë të kryejmë detyrat me konsekuencë dhe, e dyta, vitet bëjnë punën e tyre. Partia dhe Komiteti Qendror duhet vazhdimisht të përgatitin udhëheqës të rinj, të mendojnë për vazhdimësinë, për të ardhmen. Leninizmi na mëson, nga ana tjetër, se, kur partia na cakton në punë, kjo është thjesht një detyrë për ne. Sot je këtu, nesër nevoja e do që të vesh atje dhe duhet të vesh. Në qoftë se s’do të vesh, rri pa ngrënë.
Në rast se flet kundër pushtetit, diktatura të godet. Në qoftë se bën gabime, do të kritikohesh dhe do të ulesh në detyrë, në rast se vazhdon, do të rrokullisesh më poshtë. Në rast se kapaciteti i punës t’u dobësua, duhet të kuptosh që vendin t’ia lësh shokut që jep një rendiment më të madh. Të erdhi koha për pension, t’ia lësh vendin tjetrit, por edhe në pension kur të dalësh, nuk duhet të lidhësh duart dhe të mos vrasësh mendjen apo të qëndrosh indiferent, po të vazhdosh të punosh për Partinë dhe për shtetin tënd, e jo për të fituar ndonjë rrogë mbi pensionin dhe të grish si njëfarë…………….., i cili merr maksimumin e pensionit që jepet te ne dhe e kemi emëruar edhe këshilltar, duke marrë 500 lekë të reja mbi maksimalen e pensionit, domethënë gjithsej 1.400 lekë të ardhura, dhe prapë qahet se “Partia nuk interesohet për mua”! Ai na dashka që të vejë jashtë, se nuk i rrihet në vendin e tij. Po çfarë ka bërë ky njeri për Partinë dhe për diktaturën? Asgjë më shumë se një kuadër i zakonshëm, kurse pretendimet e tij janë ato të një borgjezi. Për mendimin tim, qenia në Parti për të tillë njerëz ka qenë një rastësi. Partia me ta është sjellë më së miri, më se korrekte dhe këta njerëz kanë paturpësinë të thonë se «Partia nuk interesohet» për ta!
Unë mendoj se Partia duhet të interesohet me të vërtetë për disa si këta elementë, t’i sjellë në vete, sepse ata po shfrytëzojnë dhe abuzojnë mbi indulgjencë dhe mirësinë e Partisë dhe të klasës. Duhet të konstatojmë dhe të njohim se kritikat që u bëjmë punës, shokëve, autokritikat që po bëjmë, nuk janë të lehta, ato janë të rënda, shumë herë të hidhura e të zorshme. Këto shumë herë kuptohen drejt dhe shërbejnë për edukimin dhe për korrigjimin e punëve dhe të njerëzve, por disa herë nuk bëhen dhe as kuptohen si duhet në të dy drejtimet, edhe në drejtim të kritikës, edhe në drejtim të autokritikës. Në fund të mendojmë se kemi gjetur kurdoherë masën e drejtë? Nuk mund ta themi kurdoherë këtë. Ne komunistët duhet të bëjmë përpjekje të mëdha për të qenë sa më të saktë në gjykime, sa më të drejtë në vendime dhe sa më gjakftohtë në shqyrtimin e problemeve. Faktet treguan dhe tregojnë se vendi ynë u gjend në një situatë të rëndë, së cilës duhej t’i bënim dhe do të vazhdojmë t’i bëjmë ballë me sukses. Armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, punonin në mënyrë të organizuar për të rrëzuar Partinë dhe pushtetin.