Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka reaguar në lidhje me akuzat e medias ‘News24’, se ky institucion ka kërkuar lirim e ambienteve ku aktualisht ndodhet edhe media.
Përmes një njoftimi për mediat, Ministria ka bërë me dije se ka pasur një kontratë qiraje mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe “Focus Media Group”, e cila ka përfunduar në datën 25.07.2022, çka i është kërkuar edhe lirimi i ambienteve.
Sakaq shton se ka qenë Gjykata ajo e cila ka kërkuar pezullim veprimi nga ana e Ministrisë në lidhje me lirimin e kësaj godinës, deri sa çështja të trajtohet dhe zgjidhet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Kujtojmë se mëngjesin e sotëm me një urdhër të IKMT-së është vendosur prishja e resortit ‘Prestige’, pjesë e ‘Focus Media Group”, çka ka sjellë edhe reagime të shumta.
Njoftimi i plotë:
?Sqarim i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë
Në vazhdën e sulmeve të mbushura me trillime, të cilat kanë shënjestruar muajt e fundit institucionet e Tatimeve dhe Doganave, nga mediat e zotit Irfan Hysenbelliu, sot ka dalë një tjetër në adresë të MFE. Sipas tyre, Kryeministri ka kërkuar lirimin e ambienteve shtetërore të marra me qira nga grupi mediatik i zotit Irfan Hysenbelliu për t’i mbyllur gojën mediave të tij. Kjo është një shpifje dashakeqe, si plot të tjera të prodhuara nga ky grup mediatik. Bëjmë me dije se : Po, ka pasur një kontratë qiraje mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe “Focus Media Group”, e cila ka përfunduar në datën 25.07.2022.
Referuar kontratës së lidhur dhe konkretisht nenit 7 “Zgjidhja e kontratës”, pika 7.1, parashikohet që:
“Kontrata zgjidhet me mbarimin e afatit të përcaktuar në pikën 3.1 të kësaj kontrate”. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, me cilësinë e subjektit qiradhënës, ka njoftuar subjektin përmes korrespondencës shkresore mbi përfundimin e afatit të kontratës së qirasë për godinat që duhet t’i kthehen shtetit. Në të njëjtën kohë, “Gazeta Panorama”, pjesë e “Focus Media News” që ushtron aktivitetin e saj në të njëjtat godina, rezulton të mos ketë paguar as detyrimet financiare kontraktuale prej 6 vitesh.
Deklarata e mediave të zotit Irfan Hysenbelliu, se gjykata e ka shpallur të paligjshme shkresën e MFE është një trillim. Gjykata ka marrë një vendim pezullimi proceduarial të lirimit të godinave shtetërore, derisa çështja të trajtohet dhe zgjidhet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
MFE e respekton plotësisht këtë vendim dhe pret që gjykata t’i njohë shtetit të drejtën e tij për të rimarrë pronën që i takon. Por kjo, as nuk ka lidhje me lirinë e mediave të zotit Irfan Hysenbelliu, as nuk e ndryshon faktin se zoti Irfan Hysenbelliu i përdor mediat e tij për të shantazhuar përfaqësuesit e shtetit dhe dizinformuar publikun, për të mbuluar problemet shumë serioze që bizneset e tij kanë me ligjin.