Ish-deputeti Spartak Braho, ka komentuar akuzat që kryeministri Edi Rama po bën së fundmi ndaj SPAK duke e konsideruar si “lajthitje”.
I ftuar në emisionin “FrontLine”, drejtuar nga gazetarja Marsela Karapanço, ai tha se struktura e posaçme anti-korrupsion duhet të punojë e pavarur dhe pa presione. Gjithashtu, ai tregoi detaje nga takimi që kanë pasur asokohe me Ambasadorin Donald Lu, ku deputetëve i është kërkuar prej tij që të votojnë Reformën në Drejtësi, si pjesë e një nevoje emergjente për vendin.
“I dëgjova deklaratat e Krajës. Ka bërë edhe sot një deklaratë që i ka paraprirë asaj të disa dite që thotë sulmet ndaj SPAK-ut janë politike. Këtë gjë përsëriti edhe sot. SPAK-u është një institucion i posaçëm i ngritur si rezultat i Reformës në Drejtësi. Edhe me udhëzimet e vazhdueshme të ndërkombëtarëve reforma vijoi.
Një rast, të gjithë deputetët kemi takuar ambasadorin Lu dhe meraku i tij ishte që të punonim me seriozitet sepse Shqipëria e ka të domosdoshme të ndryshojë sistemin e drejtësisë. Ka meritë përtej socialistëve. Ka meritën Fatmir Xhafaj që e drejtoi mirë këtë reformë. Unë gjykoj që vettingu që ishte i domosdoshëm duhet të kishte filluar nga poshtë. Ajo çoi në një pezullim të mjaft strukturave të prokurorisë, gjykatave, u krijuan disa pengesa. Kjo reformë u sabotua nga Berisha. Rol negativ luajti edhe Presidenti i Republikës. Në pjesën e emërimeve. U mor me Ardian Dvoranin. Duhen larg duart nga SPAK-u.
Ajo është pushtet në vete. A ka dëgjuar kryeministri që SPAK-u të merret me të? Jo. Kështu që i bëj thirrje edhe njëherë kryeministrit, mbylle gojën, e mos jep asnjë sugjerim, asnjë këshillë. SPAK-u e di punën. Ato janë organe të pavarura. Po nuk patën privatësi absolute, i dëmton kur të duash. Kjo nuk thuhen në mbledhje partie. Është lajthitje e madhe”, tha Braho.