Policia e Shtetit njoftoi të martën se në qytetin e Hasit është ndaluar një furgon me pako ndihmash me etiketën “Rezerva Materiale Shtetërore”, pas denoncimeve se po përdoreshin nga kandidati socialist për kryebashkiak për blerje votash.
Në mbrëmjen e së hënës një grup personash që i përkisnin stafit elektoral të kandidatit të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Myftar Dauti, kanë bllokuar në qendër të qytetit automjetin furgon me targa AB 333 EC, me drejtues shtetasin B. M. Sipas policisë këta persona kërkuan ndërhyrjen e policisë me pretendimin se, -“ishte i ngarkuar me pako me ndihma të cilat dyshonin se do të shpërndaheshin për llogari të një kandidati të një subjekti politik”.
“Pas marrjes së autorizimit nga Prokuroria, shërbimet e Komisariatit të Policisë Has kanë shoqëruar menjëherë në ambientet e Komisariatit të Policisë, furgonin me targë AB 333 EC dhe në prezencë të oficerëve të Policisë Gjyqësore, drejtuesit të furgonit dhe palës kallëzuese, është ushtruar kontroll në brendësi të furgonit, ku janë konstatuar 21 pako me mbishkrimin “Rezerva Materiale Shtetërore”, të cilat ishin ngarkuar në magazinën e bashkisë”- njofton Policia e Shtetit.
Në një deklaratë për media Akil Kraja nga koalicioni i partive opozitare ‘Bashkë Fitojmë’ e akuzoi kandidatin socialist të Hasit se ka ngritur “një strukturë të organizuar shtetërore në devijimin e votës së 14-Majit”
“Ky përbën një krim zgjedhor të padiskutueshëm”- tha Kraja duke i kërkuar organeve hetuese që të japin përgjigje për rastin.
I pyetur nga BIRN, kandidati socialist për kryebashkak në Has, Halit Mulaj pretendoi se djali i tij po i transportonte ndihmat ushqimore pas një kërkese për ndihmë nga magazinieri i bashkisë së Hasit.
“Djali im ishte në vendin e gabuar”- tha ai duke shtuar se, -“ai vetëm po bënte transportin nga magazina deri tek bashkia”.
Mulaj po ashtu e quajti “bllof” akuzën e kundërshtarëve politikë se ndihmat po përdoreshin për të ndikuar në zgjedhje.
“Këto ndihma ishin për natën e Kadrit për familjet në nevojë sipas një liste që ka bashkia,- u mbrojt Mulaj. “Nnë as nuk i njoh këto familje”- shtoi ai.
Përfaqësuesi politik i opozitës në Has, Isuf Çelaj, vuri në dispozicion video dhe foto të furgonit me pakot e ndihmave të filmuara nga stafi i kandidatit të opozitës.
Ai i tha BIRN-it se kandidati socialist Halit Mulaj po përdor burime shtetërore për fushatë zgjedhore dhe ky nuk është rast i izoluar.
Sipas policisë personat e që kanë pasur dijeni për pakot e gjetura në furgon, dy vëllezër B. M. dhe E. M, si dhe magazinieri i bashkisë janë marrë në pyetje dhe vijojnë veprimet procedurale për sqarimin dhe dokumentimin e rastit.
Drejtuesi i prokurorisë së qarkut Kukës, Xhevahir Lita, i tha BIRN-it se akoma nuk është regjistruar “procedim penal” për rastin.
“Ta shohim pasi të vijnë materialet nga policia”- tha ai, duke shtuar se ka një afat deri në 15 ditë për regjistrimin e procedimit në rastet kur nuk ka të arrestuar./BIRN