Ministria e Jashtme ka hedhur poshtë akuzat e opozitës në lidhje me emërimin e Juna Harkës si Sekretare të Dytë në Konsullatën shqiptare në Stamboll, sipas të cilës thuhej se ishte e martuar me kreun e një bande droge. Sipas ministrisë së Jashtme Juna Harka me dokumente zyrtare rezulton se pamartuar. Më tej ministria sqaron se ajo është emëruar, por nuk ka marrë zyrtarisht detyrën, pasi gjatë kësaj periudhe ka qenë në proces verifikimi, në përputhje me ligjin. Ndërkohë që gjatë këtij procesi verifikimi, Harka ka kërkuar që të tërhiqet për arsye persona.
‘MEPJ garanton qytetarët e Republikës së Shqipërisë që do të vijojë të zbatojë ligjin. Nisur nga akuzat e bëra sot në drejtim të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme mbi emërimin e shtetases Juna Harka, sqarojmë se emërimi është bërë bazuar në ligjin nr 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, neni 31, pika 3, që parashikon emërimin për nevoja të veçanta diplomatike të ekspertëve jashtë shërbimit të jashtëm, të cilët zotërojnë njohuri dhe ekspertizë, sipas specifikave të pozicionit të emërimit.
Për dijeni të opinionit publik, në jetëshkrimin e paraqitur pranë MEPJ rezulton se shtetasja në fjalë plotëson të gjitha kushtet. Ajo ka përfunduar studimet e larta jashtë vendit për marrëdhënie ndërkombëtare, zotëron tre mastera dhe ka një përvojë të gjerë në mësimdhënie, gazetari dhe botën akademike. Për më tepër znj. Harka, e cila është lindur e rritur në familje diplomatësh zotëron shkëlqyer katër gjuhë të huaja, ndër të cilat gjuhën turke.
Bazuar mbi këto kritere e cilësi është bërë fillimisht emërimi i saj në Konsullatën e Përgjithshme të RSH në Stamboll. Në kuadër të transparencës dëshirojmë të nënvizojmë faktin se në dokumentat zyrtarë (çertifikatë familjare) znj. Harka rezulton e pamartuar.
Pas emërimit, ajo nuk e ka marrë detyrën, pasi gjatë kësaj periudhe ka qenë në proces verifikimi, në përputhje me ligjin. Informojmë se gjatë këtij procesi verifikimi, znj. Harka i ka kërkuar Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në MEPJ të tërhiqet, për arsye personale.
Edhe njëherë konfirmojmë se shtetësja Juna Harka nuk ka shërbyer asnjë ditë në Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, nuk ka pasaportë diplomatike dhe nuk ka gëzuar për asnjë moment imunitetet dhe privilegjet që të jep statusi i diplomatit. Rrjedhimisht nuk ka patur asnjë komunikim me autoritetet turke për këtë emërim.
Faktet e mësipërme dëshmojnë se gjithçka që i është servirur sot opinionit publik vetëm për arsye politike janë akuza të pabaza dhe keqinformim. MEPJ garanton qytetarët e Republikës së Shqipërisë që do të vijojë të zbatojë ligjin.’- thotë MEPJ.