Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar pas sulmeve që i janë bërë në lidhje me tokën në bregdet, Himarë.
Xhaçka tha se nuk ka shkelur asnjë ligj as ajo, as bashkëshorti, as qeveria, as kryeministri e askush. Sakaq shtoi se investimi është një investim privat, në një truall privat, nga investitor privat. Ku theksoi se nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike dhe asnjë metër truall pronë publike për ndërtimin e këtij hoteli me 5 yje.
“Përgjigja e shkurtër është që jo, nuk kam shkelur asnjë ligj as unë, as bashkëshorti im, as qeveria, as kryeministri e askush. Nuk jam në konflikt interesi as unë e askush. Këtë e dinë mirë edhe kolegët e opozitës, edhe kolegu që i ka hipur kësaj furtune në gotë si ta kishte kalë beteje. Ose nëse nuk e dinë, do të bënin mirë të merrnin një jurist t’ua shpjegonte sepse është turp të jesh në këtë parlament, të pretendosh që përfaqëson interesat e një pjese të elektoratit e të bësh oponencën e qeverisë, e të mos kuptosh as ligjet për të cilat flet. Që unë nuk jam në konflikt interesi, këtë nuk e them vetëm unë sepse po ta thosha vetëm unë do të ishte fjala e deputetit Shehaj përballë fjalës time. Këtë e thotë ligji, e ka thënë Gjykata Kushtetuese, e ka thënë ILDKPI. Dhe një përfaqësues serioz i popullit e aq më shumë një parti në këtë kuvend minimumi duhet të kishte bërë detyrat e shtëpisë përpara se t’ju merrte qytetarëve, por edhe kolegëve kohën e vëmendjen. Dhe për të bërë detyrat e shtëpisë do t’i mjaftonte të kërkonte në arkivat e partisë së tij, për raste të ngjashme kur të tjerë përpara tij kanë ngritur furtuna në gotë për të cilat ka folur Gjykata Kushtetuese e cila në asnjë moment nuk i ka ndaluar familjarëve të deputetëve apo ministrave të merren me biznes.
Por në fakt, ky investim është një investim privat, në një truall privat, nga investitor privat. Nuk është përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike dhe asnjë metër truall pronë publike për ndërtimin e këtij hoteli me 5 yje. Çdo qindarkë e këtij investimi është produkt i punës 30 vjeçare si një biznesmen i suksesshëm të papërfshirë në tendera apo prokurime apo asgjë tjetër që ka të bëjë me përfitimin e fondeve publike”, tha ajo.