SPAK ka kërkuar 2 vite e 6 muaj burg për gjyqtarin e futbollit Qerim Ruçi. Ai akuzohet për trukim dhe ndikim në rezultat, bëhet fjalë për sfidën e Kategorisë së Dytë mes Selenicës dhe Përmetit, në marsin e 2020, e fituar nga miqtë me penallti 0-1.
Gjithashtu SPAK ka kërkuar dënim edhe për zyrtarin e Përmetit Bledar Hajredini dhe ish-futbollistin Markelian Alinani. Tre personat u përgjuan së bashku me një tjetër grup që hetohej për korrupsion dhe trafik, duke dalë në konkluzionin se ndeshja e futbollit ishte e paracaktuar.
Të gjithë të pandehurit kanë pranuar gjykim të shkurtuar, duke iu ulur dënimi me 1/3.
Kërkesa e SPAK:
Markelian Alinani 3 vite e 6 muaj burg
Qerim Ruçi 2 vite e 6 muaj burg
Bledar Hajredini 2 vite burg
Akuzat për zyrtarët e futbollit:
Mbi dërgimin për gjykim të procedimit penal nr.102/4, viti 2021
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal nr.102/4 të vitit 2021. Në përfundim të hetimeve paraprake, janë marrë të pandehur dhe dërguar për gjykim të pandehurit:
Markelian Alinani, akuzuar se ka kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim dhe “Paracaktim i rezultateve sportive”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i parë dhe 25, 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Qerim Ruçi, akuzuar se ka kryer veprën penale “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikur nga nenet 197/a, paragrafi i dytë dhe 25 të Kodit Penal.
Bledar Hajredini, akuzuar se ka kryer veprën penale “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikur nga nenet 197/a, paragrafi i dytë dhe 25 të Kodit Penal.